Mourinho përforcon shtabin teknik me ish-futbollistin e Man.United

Futboll 15 Maj 2018 12:45

Jose Mourinho si trajner i Manchester United, pritet që për sezonin e ardhshëm do të bëjë ca ndryshime e përforcime gjithandej skuadrës, në mënyrë që ta rivalizojë më shumë Manchester City-n në luftë për titull.

Trajneri portugez i “Djajve të Kuq”, duket që parapërgatitjet më këto përforcime do t’i fillojë qysh në ndeshjen finale të FA Cup kundër Chelseat, e cila zhvillohet në stadiumin “Wembley” këtë të shtunë më 19 maj.

Mesfushori i Manchester United, Michael Carrick, i cili ndeshjen lamtumirëse e luajti të dielën në xhiron e fundit të Premier League, do të jetë pjesë e shtabit teknik të Mourinhos nga sezoni i ardhshëm, por rolin e tij ai do ta marrë qysh në ndeshjen finale të FA Cup.

“Nuk do të marrë pjesë në seancën stërvitore si lojtarë këtë javë, pasi kam vendosur që të mos humbas kohë dhe t’i përkushtohem menjëherë rolit të ri që do ta kem te Man.United. Do të jem pjesë e shtabit teknik të trajnerit Mourinho, për ndeshjen e së shtunës”, tha Carrick.

“Jose është trajner për shumë vite dhe ai është ndër më të mirët. Gjithçka përshtatet për mua, pasi e njoh klubin shumë mirë, e po ashtu edhe vet trajnerin dhe do të mësoj shumë nga ai. Do të mundohem që të ndikojë sa më shumë nga përvoja ime tek të rinjtë e akademisë dhe të punojë sa më shumë me ta”, deklaroi Michael Carrick.

Përndryshe 36 vjeçari ka bërë të ditur se është konsultuar edhe me ish-bashkëlojtarët e tij tek United, Ryan Giggs dhe Gary Neville, duke marrë këshilla për rolin e ri që do ta ndërmarrë te Manchester United, pasi Giggs e Neville kanë kaluar më herët nëpër këtë procedurë.

Manchester United shpreson që ta sigurojë trofeun e vetëm këtë sezon, duke e mposhtur Chelsean këtë të shtunë, në finale të FA Cup. Ndeshja luhet në stadiumin “Wembley”, me fillim në ora 18:15. /Insporti.com

-->