Mourinho pranë blerjes së radhës para fillimit të Botërorit

Jose Mourinho dhe Manchester United janë në ofensivë të përforcimeve, e derisa në radar ngelen Ronaldo e Bale, për të cilët mundësitë e negociatave mund të zgjasin më shumë, trajneri portugez është duke u munduar që ta përfundoj edhe një blerje para se të filloj Kampionati Botëror në Rusi më 14 qershor.
Derisa ditë më parë Man.United e zyrtarizoi transferimin e të riut nga Porto, Giogo Dalot, e po ashtu edhe kalimin e brazilianit Fred nga Shakhtar Donetsk në “Old Trafford”, tani Mourinho dëshiron që deri në fund të javës, para se të filloj Kupa e Botës, ta përmbyll edhe blerjen e mbrojtësit belg nga Tottenham, Toby Alderweireld.
Mësohet se kjo nguti e trajnerit portugez, ka bërë që bisedimet veçse kanë filluar në mes dy klubeve për mbrojtësin 29 vjeçar, i cili “Djajve të Kuq” pritet t’i kushtoj rreth 50 milionë funte.
Alderweireld tash e një kohë është duke e vonuar rinovimin me skuadrën e Tottenham, me çka kuptohet se belgu dëshiron të ndryshoj ambient dhe këtë gjë tanimë e ka kuptuar edhe skuadra nga “White Hart Lane”.
Te Manchester United janë të vetëdijshëm që do të jetë e vështirë, madje e pamundur që i gjithë transferimi të përfundoj para fillimit të Botërorit këtë të enjte më 14 qershor, mirëpo dëshirojnë që së një lloj marrëveshje të finalizohet.
“Klubi dëshiron së paku dy ose tri blerje tjera gjatë kësaj vere, pasi Mourinho është i përkushtuar që të përmirësoj disa reparte për sezonin e ardhshëm”, deklaroi një burim pranë skuadrës nga “Old Trafford”. /Insporti.com