Mourinho tregon katër ekipet që mund ta fitojnë titullin në Angli – e përjashton ish-skuadrën

Futboll 11 Gusht 2019 15:05

Ish-trajneri i Chelseat dhe Manchester Unitedit në Premierligën angleze, Jose Mourinho, ka folur në rolin e analistit në Sky Sports.

Mourinho, që është prej dhjetorit të vitit të kaluar pa ekip, pasi e shkarkoi Manchester Unitedi, ndodhet në studion e Sky Sportsit aty ku do të analizojë ndeshjen mes dy ish-skuadrave të tij, Manchester United e Chelsea, transmeton Insporti

Unitedi e pret Chelsean sonte me fillim nga ora 17:30, në ndeshjen mbyllëse të xhiros së parë në “Old Trafford”.

Mourinho, që është në panelin e Sky së bashku me Gary Neville e Graeme Souness, tregoi se janë katër ekipe të cilat ai i sheh që kanë potencial për ta fituar titullin e Premierligës.


Mourinho sot ka “debutuar” si analist në studiot e Sky Sports

I pyetur se cilat ekipe janë kanditatë për ta fituar titullin, Mourinho tha se janë katër të tilla.

“Janë katër. Manchester City, Tottenhami, Liverpooli dhe ekipi B i Manchester Cityt”, tha Mourinho.

“Sot, edhe nëse njëra nga ekipet [Manchester Unitedi, Chelsea apo Arsenali] luajnë jashtëzakonshëm apo kanë një rezultat fantastik, nuk mendoj se titulli është i mundur”, tha ai.

I të njëjtit mendim ishte edhe Gary Neville, që tha se “Manchester Unitedi nuk mund ta fitojë titullin, dhe nuk mendoj se këtë do ta bëjë as Chelsea”.

Ndërkaq, edhe ish-legjenda e Liverpoolit që është në panel, Graeme Souness, pati mendim të njëjtë duke shtuar se i sheh Cityn dhe Liverpoolin që janë shumë para të tjerave, duke përfshirë këtu edhe Tottenhamin.

Kujtojmë se Mourinho titullin e fundit të Premierligës e ka fituar në vitin 2015, kur ishte trajner i Chelseat. /Insporti.com/