Mourinho – Wenger, ndodh diçka e papritur  

Futboll 19 Shkurt 2019 16:39

Jose Mourinho gjatë karrierës së tij ka pasur “hasmëri” më shumë trajnerë të njohur, por duket se portugezi i ka harruar polemikat dhe është treguar një profesionist i vërtetë duke vlerësuar francezin si njërin nga trajnerët më të mirë në botë.

Në mesin e “armiqve” të Mourinhos ka qenë Arsene Wenger me të cilin portugezi tashmë ka bërë paqe. Madje, Mourinho ka thënë se Wenger është një nga trajnerët më të mirë në futboll. Ky duet është përplasur ashpër në të kaluarën, ndërsa ishin kundërshtarë në krye të skuadrave të Premier Leaguea, kur Mourinho e quante francezin një “specialist dështimesh”.

Wenger, gjithashtu, e shtyu Mourinhon gjatë ndeshjes së dytë të portugezit në krye të Chelseas, para se ai të vazhdonte të drejtonte Manchester Unitedin. Të dy janë jashtë angazhimeve, larg adrenalinës së përballjeve të ethshme në fushat e blerta, çka e ka bërë Mourinhon të vlerësojë arritjet e francezit, pavarësisht nga komentet e tij të mëparshme.

“Ka pasur disa episode gjatë rrugës. Unë mund të flas vetëm për veten time. Me të vërtetë e kam shijuar konkurrencën me Wengerin. Respekti i vërtetë ka qenë gjithmonë aty, në fushat e lojës. Ai bëri shumë histori në një klub futbolli si Arsenali. Për mua është një nga trajnerët më të mirë në historinë e futbollit”, ka thënë Mourinho përmes një mesazhi të regjistruar në “Laureus World Sports Awards”.

Wenger e udhëhoqi Arsenalin drejt vendit të gjashtë në Premier League, sezonin e kaluar, çka ishte rezultati më i keq në kampionatin anglez që kur “Topçinjtë” përfunduan të 12-tët në vitin 1995. Megjithatë, francezi vlerësohet për shkak të angazhimit të gjatë dhe me disa suksese tek Arsenali gjatë një periudhe 22-vjeçare, kur fitoi tre tituj të Premier Leagues dhe shtatë “FA Cup”. 69-vjeçari e ndihmoi Arsenalin për shkuarjen në finalen e Ligës së Kampionëve (viti 2006), të cilën e humbën ndaj Barcelonës.