Mposhti sëmundjen dhe mbipeshën, u bë kampion

Atletikë 01 Gusht 2019 09:39

Atleti nga Mitrovica, Muhamet Ramdani, ka histori të jashtëzakonshme. Sportin e nisi me insistim të babait të tij, ngase vuante nga bronkiti dhe nga mbipesha. Pasi e fitoi luftën me dy të parat u zbulua talenti i tij i rrallë. Muhamet Ramadani ka hyrë në histori të sportit të Kosovës.

Djaloshi i artë nga Mitrovica fitoi medaljen e artë në disiplinën – Hedhje e gjyles 5-kilogramëshe në festivalin olimpik evropian për të rinj (EYOF) “Baku 2019”, shkruan gazeta “Zëri”.

Shaban Ramadani, babai i Muhametit, nuk kishte shpresuar se djali i tij do të merrej me sport. Ai nga Mitrovica e kishte një brengë tjetër. Djali i tij po vuante nga mbipesha dhe nga problemet me sëmundjen e bronkitit.

Duke e parë situatën Shabani kishte vendosur ta angazhonte birin e tij në ndonjë sport vetëm e vetëm që gjendja e tij të përmirësohej. Rastësisht Shabani ishte takuar me Mustafë Rrustemin, trajnerin e klubit të atletikës Trepça, prej të cilit kishte kërkuar këshilla se si të veprojë me Muhametin. Rrustemi ia kishte hapur dyert e klubit të tij Muhametit të ri duke e angazhuar në disiplinën hedhje (shtytje) e gjyles. Ky sport solli rezultat shumë të suksesshëm për shëndetin e Metit, por gjithashtu edhe ia ka parë hairin këtij sporti duke i tejkaluar pritshmëritë.

Në sipërfaqe kishte nisur të dilte talenti i tij në këtë sport, duke shënuar rezultate pozitive, me të cilat vetëm pas tre vjetësh arriti të kualifikohet në ngjarjen më të madhe sportive në botën e të rinjve – në Olimpiadën Verore, që u mbajt në Buenos Aires.

“Kam qenë me bronkit të madh dhe gjatë dimrit më është dashur të konsultohem me mjekun. Nga mbipesha e madhe babai është interesuar të inkuadrohem në atletikë. Si fillim e kam eliminuar bronkitin dhe pastaj kam filluar të përgatitem për gara”, nis rrëfimin e tij për gazetën “Zëri” Muhamet Ramadani.

Karrierën e ka nisur katër vjet më parë. Babai i Muhametit për të birin e ka ndërtuar rrethin e gjyles në oborrin e shtëpisë së tij. “Babai për mua e ka ndërtuar rrethin e gjyles në oborrin e shtëpisë. Gjatë kohës kur nuk më është lejuar të ushtrojë në stadium, kam stërvitur në oborrin e shtëpisë”, ka thënë ndër të tjera Muhamet Ramadani.

Pasioni për sportin nuk i ka munguar Shabanit. “Babai im ka qenë hendbollist. Më të ushtroj fitnes, atletikë dhe çdo gjë. Babai më është shndërruar në trajner personal”, potencoi Muhamet Ramadani.

Muhameti tani është 16-vjeçar. Fillimisht e hidhte topin e hekurt në 4 kilogramë, kurse më pasi vazhdoi me 5 kilogramë. Me këtë të fundit kishte arritur ta siguronte kualifikimin në Kampionatin Evropian të Atletikës për të Rinj, pasi në Kampionatin Ballkanik të vitit 2014 në Stamboll kishte hedhur gjylen në një largësi prej 17 metrash.

Më pas gjatë vitit 2018 shënoi progres tjetër pasi në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës arriti ta hedhë gjylen në një largësi prej 18.35 metrash. Ky rezultat i është pranuar nga Federata Evropiane e Atletikës, e cila edhe e kishte ftuar për ta përfaqësuar Kosovën në lojërat olimpike verore për të rinj “Buenos Aires 2018”.

Në tetor i përgatitur maksimalisht mori pjesë në “Buenos Aires 2018”, ku e përfaqësoi Kosovën. Në fazën e parë të garave atje gjylen 5-kilogramëshe e kishte hedhur 18.53 metra, duke e thyer rekordin e Kosovës për U-18. Por në tentimet e fazës së dytë gjylen e hodhi mbi dy metra më pak, përkatësisht 16:48 metra, rezultat ky që e radhiti në vendin e 12-të prej 15 garuesve.

E shkroi historinë e sportit të Kosovës

Ditë më parë atleti Muhamet Ramadani ka hyrë në histori të sportit të Kosovës. Djaloshi i artë nga Mitrovica fitoi medaljen e artë në disiplinën Hedhje e gjyles 5-kilogramëshe në festivalin olimpik Evropian për të rinj (EYOF) “Baku 2019”. Gjylen në largësi 19.75 metra, gati 1 metër më shumë se vendi i dytë Ramadani la pas rusin Semen Borodayev me rezultat 18.83 metra. Falë Ramadanit Kosova fitoi medaljen e parë dhe të vetme në EYOF “Baku 2019” dhe të parën për vendin tonë në tri pjesëmarrje të Lojërave Olimpike Evropiane për të Rinj.

Muhameti thotë se arritja e një suksesi të tillë nuk ka qenë aspak e lehtë. “Nuk ka qenë aspak e lehtë arritja e një suksesi të tillë, pasi kam stërvitur gati dy vjet për këtë garë. Mund të them se edhe gara ka qenë shumë e fortë, por ia dola”, vlerësoi Ramadani.

Në momentin që e fitoi medaljen e artë Meti është ndier shumë krenar. “Jam jashtëzakonisht mirë, pasi e kam përfaqësuar shtetin tim”, potencoi Muhamet Ramadani.

Në Kosovë nuk e pritën ashtu siç e meritoi

Pavarësisht faktit se e ngriti flamurin e Kosovën në një shtet që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, gjatë arritjes në Aeroportin e Prishtinës shumë pak njerëzve u kishte bërë përshtypje ky fakt. “Ka qenë vetëm një televizion, disa familjarë, kryetari i Federatës së Atletikës dhe sekretari i Federatës. Jam ndier paksa i dëshpëruar, pasi kam pritur më shumë”, theksoi Muhamet Ramadani.

Kujtojmë se kjo është medalja e tretë ndërkombëtare për Muhametin. Të parën e fitoi në Stamboll me gjyle të 6 kilogramëve (medaljen e bronztë) në një kampionat, në të cilin morën pjesë 20 shtete, kurse dy vjet më parë e fitoi medaljen e artë në Stamboll me gjyle të 5 kilogramëve.

Synimet e mëdha të Ramadanit

Muhamet Ramadani i ka zbuluar synimet e tij për të ardhmen. Ato janë shumë të mëdha. “Vitin e ardhshëm synoj të bëhem kampion ballkanik me gjyle të 6 kilogramëve. Gjithashtu pretendoj të dal i pesti ose i gjashti në kampionatin botëror, i cili organizohet vitin e ardhshëm”, zbuloi Ramadani.

“Nuk do të ndalem së punuari, në mënyrë që të arrij sa më shumë në karrierë. Besoj se me punë arrihet çdo gjë”, ka përfunduar bisedën Muhamet Ramadani.