Muhamet Dragusha me deklarata interesante rreth afatit kalimtar në Kosovë

Futboll 11 Janar 2019 13:45

Afati kalimtar dimëror në Superligën e Kosovës në futboll ka filluar më 1 janar dhe do të mbyllet në ditën e fundit të këtij muaji (31 janar).

Klubet kosovare po e kanë problem të gjejnë futbollistë në Kosovë, pasi shumica e tyre janë me kontrata.  Ekipet e Superligës e “kanë hedhur” grepin në rajon, kryesisht në Shqipëri ku po kërkojnë transferime.

Stinorin vjeshtor në kampionatin elitar kosovar e dominoi Prishtina, e cila e përfundoi këtë fazë në vendin e parë në tabelë me 40 pikë të grumbulluara, duke lënë pas skuadrat si Feronikeli dhe Llapi. Por trajneri i kryeqytetasve, Mirel Josa, ka thënë se përforcimet në këtë miniafat janë tejet të vështira që të ndodhin dhe se klubi duhet të jetë i kujdesshëm.

Prishtina tashmë i ka filluar përgatitjet për stinorin pranveror dhe deri më tani nuk e ka zyrtarizuar ndonjë blerje, por gjatë ditës së enjte ka njoftuar për largimin e Përparim Osmanit në huazim drejt Dritës.

Nga ana tjetër, pretenduesi tjetër për titull, Feronikeli, deri më tani ka larguar katër lojtarë në huazim drejt Drenicës, por që ende nuk e “ka marrë guximin” ta bëjë ndonjë transferim.

Pa dyshim, skuadra më e përforcuar e këtij afati është KEK-u, e cila ka transferuar gjashtë lojtarë, derisa Ballkani ka realizuar pesë transferime.

Keq nuk ka mbetur as Llapi, pasi që klubi nga Podujeva deri më tani ka afruar katër lojtarë, teksa ka larguar pesë sosh.

Dragusha: Në Kosovë s’ka lojtarë cilësorë

Miniafatin kalimtar dimëror e ka diskutuar Muhamet Dragusha, sipas të cilit klubet që synojnë titullin do ta bëjnë të pamundurën të sjellin lojtarë cilësorë nga Shqipëria ose nga ndonjë vend tjetër. “Shpresoj se do të ketë transferime nga klubet që luftojnë për titull dhe nga klubet që luftojnë për mbijetesë, ndërsa klubet që janë në mes të tabelës besoj se qëndrojnë mirë dhe nuk kanë synime të mëdha”, vlerësoi Muhamet Dragusha.

Tutje ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në disa kampionate të huaja, theksoi se klubet do të përqendrohen në rajon për transferime. “Tri klubet e para në tabelë besoj se do ta bëjnë të pamundurën që të sjellin lojtarë cilësorë nga Shqipëria ose nga ndonjë vend tjetër, por jo edhe nga Kosova”, u shpreh Dragusha për gazetën “Zëri”.