Muharrem Sahiti: Në këtë ndeshje ishim të pakënaqur me lojtarët

Kombëtarja 16 Qershor 2019 23:35

Ndihmëstrajneri i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, ka folur për ecurinë e Kosovës në ndeshjet e fundit.

Kombëtarja e Kosovës ndodhet në ecuri të jashtëzakonshme të 14 ndeshjeve pa humbje, 13 prej tyre nën drejtimin e trajnerit Challandes, transmeton Insporti

Këtë ecuri mbreslënëse, ‘Dardanët’ e kishin nisur pikërisht nën drejtimin e Sahitit, i cili ishte trajner i përkohshëm pas largimit të Bunjakut, me fitoren 4:3 kundër Letonisë në Mitrovicë, në nëntor të 2017-tës.

Në mars të vitit 2018, në krye të ekipit të kombëtares u emërua zvicerani Bernard Challandes, me të cilin ‘Dardanët’ në 13 ndeshje kanë 8 fitore e 5 barazime.

Por, sipas Sahitit, është puna e Fadil Vokrrit ajo që ka sjellë rezultatet e tanishme të Kosovës.

“Puna e ish-kryetarit të ndjerë Fadil Vokrri na ka sjellë në këtë situatë që jemi”, tha Sahiti në emisionin ‘2 me 1’ në RTV 21.

“Pas ardhjes së Albertit në vitin 2009 kemi funksionuar sikur të ishim pranuar [në FIFA, v.j.], e kemi ditur se një ditë do të vijë pranimi dhe duhet të jemi të gatshëm dhe kjo po na ndihmon me rezultate”, tha ai.

Tutje, ai shtoi se është tejet i kënaqur me paraqitjet e Kosovës, sidomos në ndeshjet si mysafir, por tregoi se në me cilën ndeshje ishin ndarë të pakënaqur.

Ai tha se Kosova zhgënjeu me paraqitjen si mysafir ndaj Ishujve Faroe.

“Me ndeshjen kundër Ishujve Faroe kemi qenë të pakënaqur, përqindja e topit ka qenë 70-30 por nuk kemi krijuar shumë raste, me atë 30 përqindëshin Ishujt Faroe kanë krijuar më shumë”, tha Sahiti.

Kosova kishte barazuar 1:1 në udhëtim te Ishujt Faroe në ndeshjen e grupit të Ligës së Kombeve, në muajin tetor. /Insporti.com/