Mulaomeroviq lë Prishtinën, mund të nisë punë në Turqi?

Superliga 03 Korrik 2019 11:33

Trajneri që e ka udhëhequr Z Mobile Prishtinën drejt suksesit më të madh evropian mund të mos e drejtojë më këtë skuadër të basketbollit.

Mediat turke kanë raportuar të martën se Damir Mulaomeroviq është pranë marrëveshjes për të marrë drejtimin e skuadrës Bursaspor.

Bursaspori për herë të parë do të luajë në Superligën e Turqisë në edicionin e ardhshëm dhe ka plane të mëdha. Sipas sajtit “bursasporx.com”, Bursaspori ka arritur një marrëveshje në parim me Mulaomeroviqin, shkruan sot Koha Ditore.

Mulaomeroviq në Kosovë kishte angazhim të dyfishtë – si seleksionues i Kosovës dhe si trajner i skuadrës Prishtina. Prishtina edicionin e kaluar arriti deri në 1\8 e finales në FIBA Europe Cup dhe suksesi nga klubi është vlerësuar historik. Mulaomeroviq ka marrë merita për këtë rrugëtim.

Fillimisht ka pasur interesim të dyanshëm për vazhdim të bashkëpunimit edhe për një edicion, por të martën dolën njoftimet për mundësinë që Mulaomeroviq të nisë punë në Turqi.

Si basketbollist, Mulaomeroviq është emër shumë i njohur në skenën evropiane. Por edhe si trajner ka udhëhequr klube e përfaqësuese me nam. Vetë Mulaomeroviq ka thënë se nuk ka firmosur ende për edicionin e ri.

Ai së shpejti pritet të vijë në Kosovë për të nisur përgatitjet për paraqitje të përfaqësueses në raundin e tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket”.