“Mungesa e Messit do të jetë në favor të Barcelonës”

Futboll 01 Tetor 2019 11:48

Ish-mbrojtësi i Italisë, Francesco Coco beson që mungesa e yllit, Lionel Messi do të jetë në favor të Barcelonës.

Messi është i lënduar dhe sipas disa spekulimeve do të mungojë në ndeshjen ndaj Interit në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Por, sipas Cocos, kjo do të jetë në favorin e gjigantit spanjoll.

“Kur një lojtar si Messi mungon, klubi e ndjen këtë gjë. Kemi Barcelonën me Messin dhe pa Messin, por mungesa e tij do të jetë në favor të klubit. Do të ishte më mirë për Interin nëse do të përballeshin me një kampion të nivelit të tij, pasi do të ishin më të koncentruar. Duke e ditur që Messi nuk do të luaj do të kenë një qetësi”, deklaroi ai.

Coco gjithashtu e ka këshilluar klubin italian se si të mposhtë gjigantin spanjoll në “Camp Nou”.

“Për të fituar në “Camp Nou”, të duhen tri gjëra, personalitet, intensitet dhe kurajo. Nëse luan atje dhe mendon që nuk do të fitosh me shumë mundësi do të dështosh. Duhet të bësh gjithçka duke mos lejuar Barcelonën për ta pasur topin. Kjo është këshilla ime për sukses”, deklaroi ai.

Barcelona dhe Interi do të ndeshen të mërkurën.