Mungoi në ceremoninë hapëse, mësohet nëse Kiana Kryeziu është e gatshme për të garuar në Pekin

Sporte të tjera 05 Shkurt 2022 15:40

Skitarja kosovare Kiana Kryeziu mungoi në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Pekin 2022.

Mungesa e saj erdhi si shkak që trajneri i saj rezultoi pozitiv me Covid-19 dhe organizatorët e LOD e konsideruan Kryeziun si kontakt të mundshëm dhe vendosën që ajo të mos merrte pjesë për të shmangur rrezikun e ndonjë përhapje të kësaj pandemie.

Megjithatë pjesëmarrja e 17-vjeçares në garën e Sllallomit të madh në Skijim Alpin nuk është në dyshim.

KosovaPress nga burimet brenda ekipit olimpik të Kosovës mëson se Kiana Kryeziu sot ka zhvilluar stërvitjen e radhës dhe është në formë shumë të mirë para garës të cilën do ta zhvillojë të hënën.

Ndryshe, skitarja nga Prishtina, është vajza e parë që do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore.

Bashkë me Kryeziun, Kosovën në skitari në LOD po e përfaqëson edhe Albin Tahiri.

-->