Munishi paralajmëron: Nuk ka kampionat pa teste – futbollistët po trajtohen si “minj laboratori”

Futboll 20 Maj 2020 21:54

Në orët e pasdites së sotme futbolli i Kosovës nuk ka marrë aspak një lajm të mirë. Sulmuesi shqiptar i KF Dritës, Izair Emini ka rezultuar pozitiv me koronavirus “Covid19”. Këtë e ka konfirmuar edhe vet futbollist në një intervistë për Insportin.

Megjithatë, lajm i mirë është se bashkëlojtari i tij, Erjon Vucaj ka rezultuar negativ dhe se shumë shpejt do t’i bashkohet pjesës tjetër të skaudrës. Vucaj ka mbetur në Maqedoni të Veriut, për shkak se rezultatet e tij ishin vonuar përkundër faktit se ka bërë testin në të njëjtë kohë me Eminin.

Pas këtyre zhvillimeve, kanë ardhur edhe reagime të shumta në drejtim të Federatës së Futbollit së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Klubi i Flamurtarit përmes një komunikate zyrtare ka kërkuar që të bëhen testet para se të fillojë kampionati.

Rreth kësaj ngjarje ka reaguar edhe trajneri i KF Ballkanit, Ismet Munishi i cili gjatë tërë kohës ka kërkuar që të bëhen testet para se të fillojë kampionati.

Munishi në një prononcim për Insportin ka deklaruar se nuk do të ketë kampionat, në rast se nuk ka teste. “Jemi duke rrezikuar me futbollistët, nuk po i respektojmë. Jemi duke i shikuar si minj laboratori. Një gjë mund të ju them se nuk do të ketë kampionat pa u testuar të gjitha klubet për koronavirus, të gjithë duhet duke përfshirë stafin, futbollistët dhe akterët e një ndeshje”.

Ballkani ka bërë të ditur se futbollistët dhe stafi do të qëndrojnë së bashku dhe se nuk do të kenë kontakte me familjarët e tyre. Këtë ua ka mundësuar presidenti i klubit Arsim Kabashi.

FFK ka konfirmuar se futbollistët që kanë qenë jashtë Kosovës gjatë kësaj periudhe, duhet të testohen në vendet e tyre dhe më pas t’i bashkohen skuadrave të tyre.

Ministria e Shëndetësisë dhe Federata e Futbollit së Kosovës dje kanë konfirmuar se futbollistët nuk do të testohen, por testimet do bëhen në një fazë tjetër.

Njëjtë po veprohet edhe në Shqipëri, pasi nuk do t’i testojnë futbollistët por vetëm matjen e temperatures, një shembull i pa zakontë.

Vlen të theksojmë se presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi ka deklaruar publikisht se ka siguruar 11 mijë teste, ndërsa 1 mijë teste tashmë kanë arritur në Kosovë.

Drita është në pozitën e dytë me 43 pikë, një pikë më pak se sa lideri i Superligës, Ballkani që ka 44 pikë.

Për t’u përfunduar kampionati kanë mbetur edhe 11 xhiro. Ditë më parë FFK caktoi datën e rifllimit të Superligës dhe datën e gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës. Superliga do të rifllojë më 7 qershor, ndërsa Kupa e Kosovës më 2 qershor.

Nga 13 marsi të gjitha aktivitetet sportive ishin të pezulluara për shkak të pandemisë “Covid19”.

Vlen të theksohet se disa futbollistë të klubeve angleze janë duke refuzuar të dalin në stërvitje përkundër se janë testuar, për shkak frikës së infektimit. /Insporti.com/

-->