Muriqi dhe yjet e Cityt me këngë u tallën keq me Liverpoolin

Futboll 15 Maj 2019 15:30

Lojtarët e Manchester Cityt janë filmuar duke e përqeshur Liverpoolin, gjatë kohës sa po e festonin triumfin e titullit në Premierligë.

Në pamjet e publikuara online shihet disa lojtarë të Manchester Cityt, përfshirë portierin e Kosovës Aro Muriqi, duke e kënduar një parodi të këngës “Allez Allez Allez”, të cilën tifozët e Liverpoolit e krijuan në rrugëtimin e tyre drejt finales së Ligës së Kampionëve këtë sezon.

Në versionin e Citizens, futbollistët e Pep Guardiolës i referohen skuadrës së Jurgen Kloppit si viktima dhe këndojnë: “Kompany e lëndoi Salahun”.

Kjo video ka ngjallur një debat të madh, pasi që futbollistët po akuzohen se janë treguar të pamatur.

Manchester City e ngriti lart trofeun në stadiumin “Amex”, pas fitores 4:1 kundër Brightonit, por pastaj udhëtuan menjëherë me aeroplan në Mançester për t’i vazhduar festimet në stadiumin e tyre, “Etihad”.

Pikërisht në këtë fluturim, lojtarët e Manchester Cityt u xhiruan duke u tallur. Pjesa për Kompanyn i referohet ndërhyrjes së ashpër të mbrojtësit belg ndaj Salahut në fitoren 2:1 të Manchester Cityt kundër Liverpoolit në janar.

Teksti i këngës që këndohet nga lojtarët e Cityt:

E gjithë rruga për në Kiev,

Vetëm që t’i japin fund me humbje,

Duke qarë në tribuna,

Dhe të shkatërruar në rrugë,

Kompany e lëndoi Salahun,

Viktimat e gjithçkaje,

Sterlingu i fitoi dy tituj,

Scousers nuk fituan asgjë

Allez, Allez, Allez

Allez, Allez, Allez