Muriqi tregon arsyen e zëvendësimit kundër ish skuadrës së tij

Futboll 07 Dhjetor 2019 08:19

Muriqi thotë se është mirë, teksa ka bërë të ditur se shumë lehtë ka mundur t’i rikthehet lëndimi

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka vazhduar me formën e mirë në Turqi.

Ai është kthyer disa ditë më parë nga lëndime dhe për tri ndeshje me radhë, ka shënuar e asistuar, duke treguar që dëmtimi i takon të kaluarës.

Megjithatë, 25-vjeçari ka shpëtuar lehtë të premten në fitoren 5-2 të Fenerbahçes kundër Genclerbirligi, ku sulmuesi prizrenas shënoi dy gola.

Pas ndeshjes, ai konfirmoi se u largua nga fusha në minutën e 77’ për shkak të disa shqetësimeve të vogla.

“Dola nga loja për të mos rrezikuar. E ndjeva një dhimbje të lehtë, dhe nuk rrezikova për të vazhduar. Besoj se për 2-3 ditë do të përmirësohem dhe do të jem 100% i gatshëm për ndeshjen e radhës”, deklaroi Muriqi pas ndeshjes, transmeton Express.

Muriqi u vlerësua si më i miri i takimit, duke u shpërblyer me notën më të madhe, 8.8.

14 ndeshje, 10 gola dhe 3 asiste – sulmuesi i ‘Dardanëve’ me të vërtetë po shijon sezonin më të mirë në karrierë

-->