Nadal rrezikon të humbë pozitën e parë

Tenis 19 Shtator 2018 17:08

Tenisti spanjoll Rafael Nadal, numri 1 në botë për meshkuj, ka vendosur të mos luajë në tetor në dy turnetë Masters që zhvillohen në Shanghai dhe Pekin. Dëmtimi në gjurin e majtë që pësoi në Grand Slam të US Open, që e detyroi të tërhiqet nga turneu amerikan, ende nuk është rikuperuar, ndaj spanjolli vendosi të mos garojë në turnetë aziatikë.

Lajmin e konfirmoi vetë Nadal.  “Këtë javë kam qenë në Barcelonë për të takuar mjekët dhe për të zbuluar shkallën e dëmtimit. Kam ende dhimbje dhe më bezdis kjo situatë, ndaj bashkë me stafin teknik vendosëm të mos marr pjesë në turnetë aziatikë, në mënyrë që të rikuperoj 100 për qind dhe të jem gati për sfidat e fundvitit. Këtë gjë e kemi bërë edhe në të shkuarën. Më vjen keq për tifozët e mi në Azi, shpresoj të shihemi vitin tjetër”, ka thënë Nadal.

Objektivi i spanjollit është të jetë në turneun e Parisit, që nis më 28 tetor, turneu i fundit Masters i këtij viti para finaleve të Londrës. Ndërkohë që, pas tërheqjes nga turnetë aziatikë, spanjolli do të humbasë 1.100 pikë në renditje, çka do të thotë se avantazhi i tij ndaj Djokovicit do të zbresë në 1.200 pikë, duke rrezikuar kreun.

-->