Nadali e nis me fitore, me lehtësi kalon në rundin e dytë të ‘Australian Open’

Tenis 14 Janar 2019 09:58

Ka nisur sot Grand Slam i Australian Open në tenis, turneu i parë i madh i vitit 2019.

Në fushë, te meshkujt, ka zbritur numri 2 në botë, tenisti spanjoll Rafael Nadal, që fitoi me lehtësi 3-0 (6-4, 6-3, 7-5) ndaj australianit James Duckworth, duke kaluar në rundin e dytë.

Dy setet e para u fituan me lehtësi nga spanjolli, që vuajti disi në setin e tretë, por në përgjithësi tregoi një formë të mirë dhe se kishte rikuperuar nga dëmtimi.

Një biletë për në rundin e dytë siguroi edhe afrikano-jugori Kevin Anderson, që triumfoi 3-1 ndaj francezit Adrien Mannarino (6-3, 5-7, 6-2, 6-1).

Numri 5 në botë pati vetëm një moment luhatje, në setin e dytë dhe më pas e dominoi lojën. Po 3-1 fitoi edhe tenisti bullgar Grigor Dimirov, që mposhti me përmbysje serbin Janko Tipsarevic (4-6, 6-3, 6-1, 6-4).

Fitore shënoi edhe çeku Thomas Berdych, që arriti një fitore të merituar ndaj britanikut Kyle Edmund me rezultatin 3-0 (6-3, 6-0, 7-5).

Ndërsa francezi Gael Monfils eliminoi 3-0 (6-0, 6-4, 6-0) boshnjakun Damir Dzumhur, duke avancuar në raundin e dytë. Nuk zhgënjeu as spanjolli Fernando Verdasco, që mposhti po 3-0 serbin Miomir Kecmanovic (7-5, 6-3, 6-3).

Nadali në rundin e dytë do të takohet me australianin Matthew Ebden këtë të mërkurë, që në rundin e parë e mposhti gjermanin Jan-Lennard Struff.

-->