NBA, shkëlqejnë LeBron dhe Curry

Basketboll 06 Dhjetor 2018 09:51

Në katër sezonet e fundit, Golden State Warriors dhe Cleveland Cavaliers kanë diskutuar mes tyre titullin në NBA, por me largimin e LeBron James nga Cavs, nuk mund të flitet më për rivalitet.

E tregon edhe përballja e parë në sezonin e rregullt mes dy skuadrave që kanë dominuar basketbollin amerikan së fundmi.

Rezultati: kampionët në fuqi shkatërruan 105-129 ish-rivalët e tyre brenda në “Quicken Loans Arena”, ku skenën e rrëmbeu dyshja Stephen Curry-Kevin Durant.

I pari realizoi plot 42 pikë, dha 7 asiste dhe kontrolloi 9 topa poshtë koshit, ndërsa i dyti e mbylli takimit me 25 pikë, 9 asiste dhe 10 “rebound”. Pa një pikë referimi, te Cavaliers më i miri rezultoi Sixton me vetëm 21 pikë.

Tashmë në radhët e Los Angeles Lakers, LeBrom James po ushqen ëndrrën e kaliformianëve për t’u kthyer te titulli kampion.

Të udhëhequr nga 33-vjeçari, që e mbylli takimin me 42 pikë, Lakers mposhtën 121-113 San Antonio Spurs, me ekipin teksan që nuk po arrin të ngrejë krye në këtë fillim sezoni.

DeRozan dhe Gay bënë jo pak, duke shënuar respektivisht 32 dhe 31 pikë, por nuk patën mbështetjen e duhur të pjesës tjetër të skuadrës në “Staples Center”.

Me Paul George në formë të jashtëzakonshme, Oklahoma City Thunder iu imponuan me shumë vështirësi 112-114 Brooklyn Nets.

I pabesueshëm George më 47 pikë e 15 “rebound”, ndërsa Russell Westbrook u mjaftua me 21 pikë, por ishte vendimtar me 17 asiste dhe 15 topa poshtë koshit.

NBA – Rezultatet e sotme
Cleveland – Golden State, 105-129
Orlando – Denver, 118-124
Atlanta – Washington, 117-131
Brooklyn – Oklahoma, 112-114
Memphis – Clippers, 96-86
Milwaukee – Detroit, 115-92
Minnesota – Charlotte, 121-104
New Orleans – Dallas, 132-106
Toronto – Philadelphia, 113-102
Lakers – San Antonio, 121-113