NBA All-Star, LeBron triumfon kundër Curry-t

Basketboll 19 Shkurt 2018 08:15

Ishte një mbrëmje me shumë atraksion si zakonisht, por kësaj radhe rivaliteti ishte shumë më i madh dhe me formulën e re për All-Star ndeshjen, duket se NBA ia ka qëlluar më shumë se kurrë, për t’ia kthyer madhështinë e merituar kësaj ngjarjeje.

Takimi ishte me kthesa të ndryshme në rezultat dhe shumë i përafërt, ku vetëm në fund ekipi i LeBron James arriti triumfin me vetëm 3 pikë diferencë. Në fakt rezultati në fund ishte 148-145, në të mirë të ekipit të James kundrejt atij të Steph Curry, në një prej All-Star ndeshjeve më të mira dhe interesante viteve të fundit.

NBA dhe sportistët e saj, janë shndërruar në ligën më të zgjuar në botë, për sa i përket krijimit të një narrativi me “konflikte”, në mënyrë që të gjenerojë sa më shumë marketing. Edhe kësaj radhe ia arritën të krijojnë të njëjtën gjë duke futur edhe më shumë intrigë, në duelin apo “konfliktin” në mes LeBron James dhe Stephen Curry, ku me mençuri krijuan formulën e tillë që të ketë një rivalitet, e jo vetëm atraksion në këtë mbrëmje.
Për këtë arsye, u krijuan skuadrat e përbëra në njërën anë nga lojtarë të përzgjedhur nga James dhe në anën tjetër nga Steph Curry.

Dhe siç u premtua, edhe pse kishe pak dyshime në fillim, kjo formulë solli interesim shumë më të madh, se ndeshja e vitit të kaluar apo një viti më parë.

“Funksionoi për të gjithë, jo vetëm për lojtarët apo për ligën, por edhe për adhuruesit tonë, pasi ishte një vikend fantastikë”, u shpreh pas ndeshjes Lebron James, lidhur me formulën e re nga NBA.

Kurse, Steph Curry përgëzoi skuadrën e James për lojën e mirë që shfaqën, duke u shprehur se LeBron e Durant ishin pothuajse gjithkund në parket dhe funksionuan shumë mirë.

Ekipi i James ishte duke humbur deri pak çaste para fundit, kur LeBron me një treshe barazoi rezultatin në 144-144 dhe pastaj arritën të triumfojnë në fund.

Normalisht, LeBron James u shpall MVP i ndeshjes, por po të fitonte skuadra tjetër, pa dyshim që këtë epitet do ta kishte edhe Curry.
James duke u shpallur lojtari më me vlerë i ndeshjes, mori notën maksimale me double-double prej 29 pikëve (duke gjuajtur për dy pikë 12/17) dhe 10 kërcimeve, por kishte po ashtu edhe 8 asistime dhe 1 top të vjedhur.

Derisa Steph Curry në këtë mbrëmje nuk ishte edhe aq produktiv duke e marrë me shumë sportivitet këtë përballje dhe shënoi vetëm 11 pikë, 6 kërcime dhe 1 top të vjedhur.

Në fund mund t’i shihni edhe 10 aksionet më të mira të mbrëmjes. /Insporti.com