Ndahet nga jeta një tifoz në prag të derbit të madh kosovar – ‘Skifterat’ me dedikim prekës

Futboll 12 Shkurt 2019 11:40

Dita e parë e javës ka nisur me një lajm të hidhur për grupin e tifozëve ‘Skifterat’, të cilët mësuan lajmin për humbjen e njërit prej më të dashurve të tyre.

Anëtari i ‘Skifterave’, Leonit Osmani ka ndërruar jetë në mëngjesin e së hënës, ndërkohë që varrimi tij do të bëhet sot (e martë) nga ora 14:00.

Përmes faqes zyrtare në rrjetet sociale, tifo grupi “Skifterat” kanë ngushëlluar të gjithë anëtarët dhe familjen Osmani.

“Sot me zemër të thyer përcjellim për në banesën e fundit anëtarin tonë Leonitin i cili u nda nga jeta në moshën më të mirë.

Kujtimi për Leonitin do të mbetet i përjetshëm për Gjilanin dhe Skifterat.

Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjen dhe shoqërinë.

Prehu në paqe vëlla”, thuhet në kumtesë.

Vdekja e anëtarit të ‘Skifterave’ vjen disa ditë para derbit të madh të futbollit kosovar, atij ndërmjet Gjilanit e Dritës.

Gjilani – Drita do të zhvillohet këtë diel, në kuadër të stinorit pranveror të IPKO Superligës së Kosovës.