Ndalen Cavs dhe Raptors, Bucks “leksion” Celtics

Basketboll 21 Prill 2018 09:41

Cleveland Cavaliers bien në përballjen e tretë të serisë së play off- it ndaj Indiana Pacers, që falë suksesit të ngushtë 92- 90 në “Bankers Life Fieldhouse” të Indianapolisit, ngushtojnë në 1-2 rezultatin e përgjithshëm dhe fitojnë moralin e duhur për përballjen e katërt, që do të luhet në të njëjtin parket.

Një humbje e pabesueshme për LeBron James me shokë, që në fund të pjesës së parë kishin krijuar një avantazh prej 17 pikësh, 40 – 57. Finalistët e sezonit të kaluar udhëhiqnin deri në mesin e periodës së fundit, por përmbysja e Indianës ishte spektakolare, falë formës së jashtëzakonshme të Bojan Bogdanovic, që e mbylli takimin me 30 pikë.

Nga ana tjetër, “Mbreti” James me 28 pikë dhe 12 rikuperime, bënte i vetëm diferencën te Cavs, ndërsa Kevin Love u ndal në vetëm 19 pikë, por që nuk mjaftuan për të siguruar fitoren e tretë radhazi.

Në Konferencën e Lindjes ndalen edhe Toronto Raptors, që u dorëzuan 122 – 103 në “Capital One Arena” nga Washington Wizards, me serinë e përballjeve që shkon në 1-2. Vendësit shënuan 12 pikë të njëpasnjëshme, duke marrë kryesimin që në periodën e parë, për të fituar në fund me plot 19 pikë diferencë.

Shkëlqeyn në këtë takim, që kthyen në lojë Wizards, Bredaley Beal dhe John Wall, që realizuan nga 28 pikë secili, me këtë të fundit që dha edhe 14 asiste.

DeRozan rezultoi më i miri për Raptors me 23 pikë, 4 më shumë se Lowry. Takimi i radhës do të zhvillohet Capital One Arena

Rivaliteti i madh në Perëndim konfirmohet edhe nga suksesi 116 – 92 i Milwaukee Bucks ndaj Boston Celtics. Edhe në këtë rast Bucks e ngushtuan në 1-2 diferencën e serisë dhe do të kërkojnë të shfrytëzojnë avantazhin e fushës për të fituar edhe takimin e radhës. Diferenca prej 17 pikësh që në periodën e parë (27-12) ishte një sinjal i qartë se Bucks do të ktheheshin me një fitore bindëse. Vendësit toleruan disi vetëm në periodën e tretë, por pa e vënë në asnjë moment në diskutim triumfin.

Middleton dhe Antetokounmpo, respektivisht me 23 dhe 19 pikë, ishin inspiruesit e këtij suksesi të Milwaukee-t, ndërsa për Bostonin statistikat më të mira i kishin Horford dhe Monroe respektivisht me 16 dhe 15 pikë. /Supersport