Ndërpritet seria e Mercedesit – raporti i garës së Monakos me pamje

Formula 1 26 Maj 2019 17:17

Gara për Shpërblimin e Madh të Monakos, që u zhvillua rrugëve të qytetit të Monte Karlos shënoi fundin e serisë së fitoreve të dyfishta (përfundim në pozitat 1 dhe 2) të ekipit të Mercedesit, pas pesë rezultateve të këtilla në pesë garat e para të sezonit.

Sidoqoftë, kjo garë dëshmoi se ekipit gjerman vazhdon të jetë plotësisht mbizotërues në këtë kampionat meqë Lewis Hamilton, kampioni aktual dhe lideri i renditjes së përgjithshme shënoi fitore të shkëlqyeshme dhe atë nga pole position, duke udhëhequr nga kthesa e parë deri në të fundit, raporton Insporti.

Kolegu i tij në Mercedes Bottas, u nis i dyti në garë, por përfundoi i treti, pas një prekjeje që e pati në pit stop me Max Verstappenin, shoferin holandez të Red Bullit, i cili shkaktoi dy incidente të vogla në garë dhe u dënua me pesë sekonda shtesë në kohë të përgjithshme, për këtë incident me Bottasin.

Verstappen në fakt, hyri si i dyti në finish, por për shkak të dënimit prej pesë sekondash, u klasifikua si i katërti në garë.

Madje, dy rrathë para fundit ai e Hamilton u prekën, meqë Verstappen tentoi ta tejkalojë në shikanën pas tunelit, por fatmirësisht prekja nuk shkaktoi prishje të asnjërit nga bolidët.

Pierre Gasly përfundoi i pesti por fitoi një pikë shtesë në renditje për shkak se bëri rrethin më të shpejtë të garës.

Pikë në këtë garë morën edhe Sainz, Kvyat, Albon, Grosjean dhe Ricciardo, kurse zemrat e tifozëve vendës i theu Charles Leclerc, i cili fillimisht në kualifikie dështoi duke u nisur nga pozita e 16-të, kurse sot pas një incidenti me Niko Hulkenbergun u detyrua ta braktisë garën për shkak të një prishjeje në bolid.

-->