Ndeshjet e mbetura të Prishtinës dhe Dritës dhe kush është favorit për titull

Futboll 23 Prill 2018 10:23

Pas fitores së djeshme të Dritës ndaj Llapit, ekipi gjilanas besohet se ka bërë një hap të madh drejt fitimit të titullit të Kampionit të Kosovës në futboll. Sidoqoftë, deri në përfundim të sezonit kanë mbetur edhe pesë xhiro dhe Insporti ka bërë një krahasim ndërmjet kundërshtarëve të këtyre dy ekipeve në xhirot e mbetura dhe gjasat e tyre për titull.

Përndryshe duhet thënë se këto dy ekipe kanë duel direkt në xhiron e fundit të kampionatit dhe mund të ndodhë që pikërisht në ndeshjen e fundit edhe të përcaktohet kampioni, gjë që luftën për titull do ta bënte shumë më interesante dhe kampionin që shpallet në xhiron e fundit, do ta bënte edhe shumë më legjitim.

Sidoqoftë, Drita ka epërsi prej tri pikëve në raport me Prishtinën dhe ka gjasa që këtë dilema të zgjidhë më shpejt.

Drita në xhirot e mbetura do të ballafaqohet me Feronikelin, Gjilanin, Lirinë dhe Trepçën’89 dhe të gjitha këto ndeshje i zhvillon në Gjilan (me Gjilanin është teknikisht mysafire, por ekipet luajnë në të njëjtin stadium) dhe kjo është përparësi shumë e madhe për lideri aktual të tabelës.

Në xhiron e 33-të dhe të fundit Drita do të jetë mysafire e Prishtinës, që vazhdon ndeshjet e veta ti zhvillojë në Pejë, duke pritur të përfundojnë punimet në Stadiumin e Prishtinës.

Prishtina ndërkaq xhiron e ardhshme e pret Llapin si vendëse, dhe më pas i ka tre kundërshtarët e njëjtë me ata të Dritës, por vetëm një javë më vonë. Pra në xhirot 30 – 32, Prishtina takohet me Feronikelin, Gjilanin dhe Llapin, kurse në xhiron e fundit me Dritës si rival direkt për titull.

Rreth gjasave të këtyre dy ekipeve për titull është deklaruar edhe analisti Besnik Kollari, i cili mbrëmë në emisionin 2 me 1 ka pohuar se kalendari e favorizon Dritën, për shkak se i zhvillon katër ndeshje në Gjilan dhe për shkak se ka seri të gjatë të ndeshjeve pa humbje, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që ekipet të fitojnë nga 12 pikë në katër xhirot e ardhshme kampioni të vendoset në duelin e xhiros së fundit.

-->