“Ndëshkimet” e Abramovich

Pas humbjes së Chelsea-t nga Watford, e që nga shumë analist të sportit u cilësua si njëra nga ndeshjet më të dobëta nga “Blutë” e Londrës, ndoshta edhe mund t’i plotësohet dëshira e italianit Conte, për një “konfrontim” me bordin e posaçërisht pronarin Roman Abramovich.
Abramovich ndër vite nuk ka hezituar të shkarkojë një numër të madh të trajnerëve, emra të mëdhenj të futbollit, e që në fakt shume prej tyre nuk është se i kanë munguar sukseset.
Lista e atyre që erdhën e u larguan nga “Stamford Bridge”, që nga viti 2003 prej se rusi bleu shumicën e aksioneve të Chelsea-t, nuk është e shkurtër.
2004-2007 dhe 2013-2015, Jose Mourinho
Gjatë dy aventurave të tij tek Chelsea pati sukseset e ti: 3 tituj të Premier League, 2 tituj të Kupës së Ligës dhe 1 trofe të Community Shield. Derisa Mourinho herën e parë u largua me dëshirën e tij, rikthimi i tij pas disa viteve solli edhe një prej largimeve që u përfol mjaft në mediumet gjithandej.
2007, Avram Grant
Trajner i cili e zëvendësoi Mourinho-s dhe qëndroi deri në përfundim të sezonit, ku më pas u shkarkua.
2008, Felipe Scolari
Qëndrimi i tij ishte disa mujorë dhe u shkarkua shpejt, kështu që nuk la gjurmë në Londër njeriu i cili fitoi Kupën e Botës me Brazilin në vitin 2002.
2008-2009 dhe 2015-2016, Guus Hiddink
Holandezi erdhi për të vazhduar sezonin e lënë në gjysmë nga Scolari, dhe arriti të sjellë në “Stamford Bridge” trofeun e parë që pas Mourinho-s, Kupën FA. Herën a dytë u kthye për ta përfunduar sezonin e lënë në gjysmë nga i shkarkuari Jose Mourinho.
2009-2011, Carlo Ancelotti
Periudha e italianit në fillim ishte e pritur shumë mirë nga tifozët e Chelsea-t, i cili madje edhe në qëndrimin e tij arriti të fitonte tituj. Për herë të parë italiani arriti ti sjell “Bluve” të Londrës dy tituj brenda sezonit, Premier League dhe Kupën e Ligës, e më pastaj në nisje të sezonit tjetër edhe Community Shield. Por, pasi ngeli pa trofe në sezonin e radhës, e sidomos Abramovich shpresonte që ai do t’i siguronte trofeun e Ligës së Kampionëve, u shkarkua edhe ai.
2011, Andre Villas Boas
Portugezi pasi kishte arritur sukses me Porto-n në Europa League, erdhi në Londër. Por, Qëndrimi i tij qe i shkurtër për shkak të rezultateve të dobëta, me vetëm një fitore në 11 ndeshje. Ky qe edhe fati i tij dhe u shkarkua pa kaluar një vit i plotë.
2012, Roberto di Mateo
Roberto di Mateo u caktua si një trajner i përkohshëm për ta vazhduar sezonin, pasi kishte qenë asistent i Villas Boas. Arriti ta fitonte atë sezon FA Kupën dhe Ligën e Kampionëve, që nuk ishte sukses i vogël. Kjo i solli nënshkrimin e kontratës si trajner i “Bluve” edhe për sezonin e ardhshëm, por fati i tij u vulos në humbjen 3-0 nga Juventus, kur dështuan ta kalojnë grupin në Champions.
2012-2013, Rafa Benitez
Pas largimit të italianit Di Mateo në gjysmë të sezonit, erdhi ish trajneri i Liverpool, spanjoli Rafa Benitez, i cili e përfundoi sezonin e mbetur. Arriti triumf me Chelsea në Europa League, por në fund të atij edicioni largohet për t’i lënë vend rikthimit të Jose Mourinho.
2016 – …. , Antonio Conte
Dhe kështu kjo histori trajnerësh, e sjell trajnerin momental të Chelsea-t, i cili me ardhjen e tij në vitin 2016 nënshkroi kontratë tri vjeçare. Sukseset e italianit nuk munguan, madje fillimisht me stilin e ri të lojës tek “Blutë” arriti disa rezultate mbresëlënëse. Kjo bëri edhe që Chelsea të fitonte titullin e Premier League, në sezonin e parë të Conte-s.
Mirëpo problemet e kohëve të fundit dhe duke parë këtë historikë tek Chelsea të shkarkimeve nga Abramovich, mbetet të shihet a do të mbijetojë italiani apo rubrika më poshtë do të vazhdohet….. 2018 ? /Insporti.com