Ndihmës trajneri i Malit të Zi befason me deklaratën e tij për Kosovën

Kombëtarja 03 Qershor 2019 11:44

Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje në muajin qershor në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian “Euro 2020”, shkruan Insporti.com.

Fillimisht, më 7 qershor, Kosova përballet me Malin e Zi dhe tre ditë më pas me Bullgarinë.

Tashmë po thuajse të gjithë futbollistët janë grumbulluar dhe kanë filluar përgatitjet për ndeshjen e parë kundër Malit të Zi, që do të zhvillohet në Podgoricë.

Ndihmës trajneri i Malit të Zi, Aleksander Jankovic ka deklaruar se Kosova ka një ekip të ri dhe tashmë të dëshmuar.

Jankovic për gazetën malazeze “Vijesti” është shprehur se e kanë analizuar lojën e Kosovës dhe se do të tentojnë t’i shfrytëzojnë gabimet e tyre, raporton Insporti.

“Ne e kemi analizuar rivalin e radhës dhe jemi të vetëdijshëm për cilësitë e tij. I kemi vlerësuar gjërat nga disa kënde dhe mund ta shohim se ky është ekip serioz. Këtë e ka dëshmuar po ashtu në Ligën e Kombeve, ama është edhe ekip i ri siç e ka treguar në kualifikime për Kampionatin Evropian”, tha Jankovic.

“Fakti se lojtarët kosovarë janë të rinj mund të jetë përparësi për ne. Do të përpiqemi t’i shfrytëzojnë të gjitha gabimet e tyre, por edhe të mos biem në kurth si me Bullgarinë”, shtoi ai.

Siç dihet kjo ndeshje do të luhet pa praninë e tifozëve, pasi UEFA ka dënuar Federatën e Futbollit të Malit të Zi pas fyerjeve në baza racore ndaj futbollistëve të Anglisë.

“Dardanët” duhet të jenë të lumtur edhe për një fakt tjetër, pasi kombëtarja malazeze do të jetë pa yllin e mbrojtjes, Stefan Savic.

Sipas gazetës malazeze “Vijesti” Savic nuk do të arrijë të rikuperohet në kohë për këtë ndeshje, raporton Insporti.com.

Këtë e ka konfirmuar edhe anëtari i shtabit teknik të kombëtares malazeze Aleksander Jankovic.

“Savic është i lënduar, ne të gjithë i dimë aftësitë e tij, por ai nuk është bashkuar ende me pjesën tjetër të skuadrës dhe nuk pritet të bashkohet deri në fund të përgatitjeve” ka thënë Jankovic për Vijesti, raporton Insporti.

Ky lajm pa dyshim që është i mirë për Kosovën pasi Savic është një mbrojtjës me kualitete të larta. Ai është pjesë e gjigantit spanjoll Atletico Madrid.

Vlen të theksojmë se Kosova të mërkurën do të udhëtojë për në Mal të Zi.

-->