Ndikimi i madh i Muharrem Ramës te Ademi, ka punësuar edhe nipin e tij në FFK

Kombëtarja 27 Janar 2021 14:42

Ndikimi i Muharrem Ramës te Agim Ademi nuk ndalon vetëm te punësimi i të birit të tij, pasi ai ka të punësuar në FFK edhe nipin e tij, Liburn Rama. Liburn Rama është i biri i të vëllait të Muharrem Ramës.

Insporti mbrëmë raportoi për punësimin e Shkodran Ramës në Federatën e Futbollit të Kosovës. Shkodrani pozitën sipas numrit një të FFK-së, Agim Ademi, është depoist.

Pozita e Liburnit me të Shkodranit dallon.

Liburni mban pozitën e ekonomit në Përfaqësuesen e Kosovës. Ai angazhohet si ekonom në Përfaqësuesen A të meshkujve dhe atë të femrave A.

Në të kaluarën, Liburni ka qenë futbollist.

May be an image of 1 person, standing and outerwear
Liburn Rama

Shkodran Rama, i biri i Muharrem Ramës tash e disa muaj është i punësuar në Federatën e Futbollit të Kosovës. Miqësia e mirë në mes të Muharremit dhe kryetarit të FFK-së, Agim Ademi ka bërë që Shkodrani të jetë i punësuar në shtëpinë e futbollit të Kosovës, raporton Insporti.com.

Ademi për Insportin ka konfirmuar se Shkodran Rama është punësuar në FFK. Gjatë bisedës numri një i FFK-së tentoi të luante rolin e redaktorit duke thënë se kjo nuk është një temë për të cilën ja vlen të flitet.

“Po, te na punon ai djali (Shkodrani). Është depoist për paisje sportive. Po e di që po doni me ba temë, po s’keni nevojë me ba kësi tema. Mos i trajtoni temat se janë palidhje. Punon ai tash e disa muaj, nuk po di drejten me të thanë, nuk i ka një vit, 6-7 muaj”.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës kohëve të fundit janë duke ndodhur disa ndryshime, që kryesisht kanë të bëjnë me stafin e brendshëm. Nga FFK është larguar drejtoresha e marketingut, Diturie Hoxha.

Ndërsa, prurje të reja janë prezeantuesit e sportit, Alba Morina dhe Maki Bajrami.

Muharrem Rama dhe Ademi janë miq të vjetër, pasi edhe akuzohen për të njëjtën vepër penale. Këta dy miq të vjetër akuzohen se së bashku me Muharrem Ramën e kanë kërcënuar për vdekje një person.

E gjithë kjo sipas Prokurorisë u bë me qëllim ndryshimi të statusit të një ngastre toke.

Në aktakuzë thuhet se dy të akuzuarit e lartpërmendur kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit “BMW X5”, me qëllim të ndikimit të tyre në vendimmarrjen e Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Në pikën e parë të aktakuzës Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për vetën e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyroj atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të ua jep atyre një veturë të tipit BMW X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.

Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit “BMW X5”, në lidhjen me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Kujtojmë që në shkurt të vitit 2020 Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar dënimin prej nëntë muajsh burg efektiv, që gjykata e shkallës së parë, kishte shqiptuar ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

“A.A. dhe M.R. janë shpallur fajtor nga ana e gjykatës së shkallës së parë, për veprën penale të detyrimit në tentativë, nga neni 267 paragrafi 2, lidhur më paragrafin 1, lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës(KPK), dhe janë gjykuar, i pari më dënim më burgim në kohëzgjatje prej 9(nëntë) muajve, ndërsa i dyti më dënim më burgim në kohëzgjatje prej 1(një) viti.

Ademi nuk respektoi vendimin dhe afatin kohor për t’u dorëzuar që ishte më 18 qershor të vitit 2020.

Po në atë ditë, Insporti kishte raportuar për takimin që Ademi  e kishte zhvilluar me Shkumbin Veliu, djalin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.

Shkumbin Veliu në rrjetin e tij social Facebook publikonte fotografinë me Agim Ademin me mbishkrimin “Takim miqësor”, duke ironizuar me kundërshtarët e Ademit.

Megjithatë, Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim lëndën ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademit dhe Muharrem Rama.

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka kthyer në rigjykim lëndën ndaj Agim Ademit dhe Muharrem Rama, ku edhe çështja do të kthehet në shkallën e parë. /Insporti.com/

-->