Ndryshime të mëdha te Arsenali – a do të largohet Mustafi?

Futboll 07 Maj 2019 15:18

Siç shkruan “Goal”, suksesi apo jo i Arsenalit në Ligën e Evropës do të jetë vendimtar për ndryshimet e mëdha gjatë verës. Arsenali është me një këmbë në finalen e kësaj gare evropiane, pasi ka fituar 3:1 në gjysmëfinalen e parë ndaj Valencias.

Sipas raportimit, klubi pësoi rënie të të hyrave në sezonin e fundit, ndërsa kosto për pagat u rrit për gati 18 për qind.

Nëse klubi nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve sivjet, sipas Goal, buxheti për transferime do të jetë 45 milionë funte.

Kjo shifër mund të rritet pasi klubi po synon të largojë disa lojtarë të ekipit të parë dhe të lirojë vend për pagat, që në total besohet se zënë 220 milionë euro në vit.

Largimi i Aaron Ramseyt drejt Juventusit, pensionimi i Petr Cechut dhe largimi i Danny Welbeckut do të reduktojë për 1 milionë euro pagat në muaj tek Arsenali, por klubi dëshiron të zbresë shpenzimet akoma.

“Goal” mëson se Stephan Lichtsteiner do të largohet me klubin që ka vendosur të mos ia vazhdojë kontratën lojtarit. Klubi pret të shesë edhe Carl Jenkinsonin e Mohamed Elnenyn, teksa oferta po inkurajohen edhe për Shkodran Mustafin e Henrikh Mkhitaryanin.


Mustafi kohëve të fundit ka qenë ndër më të kritikuarit për paraqitjet te Arsenali

Mesut Ozili, që është me pagën më të lartë në klub me 350 mijë funte, po ashtu mund t’i bashkohet listës së largimit, por kjo po konsiderohet e vështirë duke parë se interesimi për të ka rënë nga klubet tjera.

Vendim pritet të merret edhe për Calum Chambersin e Emiliano Martinezin, që janë huazuar në sezonin e fundit e kthehen gjatë verës në klub.

Planet e “Topçinjve” janë të lehtësohet presioni për paga, e të rritet buxheti për pesë transferime.

Adoleshenti brazilian Gabriel Martinelli do t’i bashkohet Arsenalit për 6 milionë funte nga Ituna, dhe trajneri Unay Emery po kërkon një zëvendësues për Aaron Ramseyn, një mbrojtës të majtë dhe një anësor sulmues.

Një qendërmbrojtës mund të transferohet në Londër, por kjo varet nëse Arsenali arrin ta shesë me çmim të mirë mbrojtësin shqiptar Mustafi, që po hyn në dy vjetët e fundit të kontratës.