Ndryshohet data dhe vendi i meçit të Shefat Isufit për titull bote

Boks 26 Mars 2019 10:31

Shefat Isufi do ta ketë rastin ta zgjerojë edhe më shumë popullaritetin e tij, me një fitore potenciale kundër britanikut, Billy Joe Saunders.

Meçi mes boksierit nga Tërrnoci dhe Saunders ishte paraparë të zhvillohet në “Wembley”, më 13 prill dhe i vlefshëm për titull bote “WBO”, në kuadër të peshave super të mesme, shkruan Insporti.

Por, gjërat kanë ndryshuar pasi Isufi do të boksojë me Saunders më 18 maj për titullin e përkohshëm në WBO dhe do të zhvillohet në stadiumin “Lamex” në Stevenage.

 

Këto ndryshime kanë ndodhur për shkak se kampioni aktual i WBO, meksikani Gilberto Ramirez, ka vendosur të mbajë titullin edhe pse është ngjitur në kategorinë gjysmë të rëndë. Ai në muajin prill do të zhvillojë një meç.

Meçi mes Isufit dhe Saundersit do të jetë për titull “WBO Interm” dhe fituesi i këtij meçi do do të ketë të drejtën të jetë sfidues i menjëhershëm i Ramirezit për titull bote apo në rast se Ramirez heq dorë nga titulli, fituesi i duelit do të shpallet me automatizëm kampion në këtë version

Isufi ka një rekord impresiv me 27 meçe të fituara, tre të humbura dhe dy barazime. /Insporti.com/

-->