Në Goden hapet kampionati në disiplinën malore

Motosport 28 Maj 2021 14:47

Disiplina malore është ndër më atraktivet për dashamirët e auto sportit në Kosovë, ndërsa kampionati i sivjetmë në këtë disiplinë nis në këtë fundjavë me garën që do të zhvillohet në Goden, me organizim të Auto Klubit HCR Gjakova, në bashkëpunim me Illyrius Motorsportnga Shqipëria, mbështetur edhe nga Federata e Auto Sportit të Kosovës (FASK) dhe Kuvendi Komunal i Gjakovës.

Disa nga garuesit kanë bërë investime të reja në veturat e tyre, prandaj është e qartë se rivaliteti do të jetë i madh.

Të shtunën, nga ora 09:00-11:00 bëhet paraqitja në garë, për të vazhduar më pas me verifikimin e dokumentacionit, kontrollin teknik të veturave, takimin e Komisionit Sportiv dhe publikimin e listës startuese.

Mbyllja e shtegut për veturat civile do të bëhet në orën 12:15, ndërsa 15 minuta më vonë është paraparë brifingu me garues.  

Në orën 13:00 nis vozitja e parë e 30 minuta pas përfundimit të saj, garuesit do ta kenë edhe vozitjen e dytë.

Të dielën, paraqitja në garë mund të bëhet në intervalin kohor 10:00-10:30, ndërsa pas procedurave të zakonshme, vozitja e parë zyrtare fillon në orën 12:00.

Veç skuadrës organizative të garës, për çdo eventualitet do të asistojnë edhe Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë, Brigada e Zjarrfikësve dhe Merimanga e HCR Gjakova. /insporti.com/

-->