Në mungesë të rezultateve, Ducati mendon ta largoj Lorenzon

Moto GP 02 Maj 2018 13:53

Ish-kampioni në MotoGP, spanjolli Jorge Lorenzo, është vetëm në vitin e tij të dytë tek Ducati, sezon i cili sapo ka filluar dhe qysh tani drejtuesit e skuaderisë italiane janë duke menduar për ta shkëputur marrëveshjen me Lorenzon.

Ngasësi spanjoll dhe Ducati, nuk po arrijnë rezultatet e pritura dhe duket se rrugët mes tyre do të ndahen. Skuderia italiane nuk ka ndërmend që ta konfirmojë Lorenzon për sezonin e ardhshëm, të paktën jo me një pagë prej 12 milionë Euro në sezon.

Kjo do të thotë se largimi i Jorge Lorenzos nga Ducati është i paevitueshëm, gjë e cila e ka shtyrë spanjollin që të filloj kërkimet për një skuadër të re, duke iu vetë ofruar Suzukit.

Në të vërtetë edhe skuadra japoneze ka shfaqur interesim për Lorenzon, me të cilin duket se kanë nisur edhe bisedimet e para dhe ajo që duhet të bëjë spanjolli është të pranojë një reduktim të ndjeshëm të pagës së tij.

Sipas MotorCycle News, lajmi zyrtar i kalimit të Jorge Lorenzos te Suzuki, pritet të bëhet gjatë kësaj fundjave në Jerez të Spanjës, që është edhe gara e katërt në kalendar dhe gara e parë për këtë sezon në pistat e Evropës.

Gjithnjë sipas MotorCycle News, kjo lëvizje mund të sjellë lëvizje të tjera te Suzuki, pasi skuderia japoneze duket se ka vendosur të besojë te Alex Rins, që do të thotë se ish-ngasësi i Ducatit, Andrea Iannone, i cili vitin e kaluar u largua nga Ducati pikërisht për t’i lëshuar vendin Lorenzos, pritet të largohet dhe si opsion ndoshta mund të jetë edhe rikthimi i tij te Ducati, në partneritet me italianin tjetër, Andrea Divizioso. /Insporti.com

-->