Premiera në Wembley – sot fillon sezoni i ri në Angli

Futboll 05 Gusht 2018 13:08

Sezoni i ri futbollistik starton sot në Angli, me ndeshjen e parë të edicionit të ri ndërmjet rivalëve të mëdhenj Chelsea dhe Manchester City.

Takimi i vlefshëm për Community Shield (versioni anglez i Superkupës), do të vë kështu përballë Maurizio Sarrin si trajner të Chelseat dhe Pep Guardiolën, i cili fitoi 100 pikë sezonin e kaluar dhe u bë kampion i Anglisë, kurse sivjet, ka ambicie edhe më të mëdha – kërkon lavdinë evropiane.

Chelsea në këtë ndeshje përfaqësohet si fitues i Kupës FA, kurse City si kampion i Premier Ligës.
Mirëpo, triumfi në këtë ndeshje do të ishte posaçërisht i rëndësishëm për të dy trajnerët dhe ekipet e tyre përkatëse, kështu që takimi që fillon në ora 16:00 në Wembley, pritet të jetë një festë e vërtetë e futbollit.

Chelsea nuk e ka fituar këtë trofe që nga viti 2009, kur kishin mundur Manchester Unitedin në penallti, kurse më 2012, ishte pikërisht City që në finalë kishte mundur Chelsean me rezultat 3:2.

-->