“Nëse të gjithë në Itali do të kryenim detyrat tona si Atalanta do të ishim një vend më i mirë”

Futboll 27 Qershor 2020 09:44

Atalanta nuk është më një surprizë. Skuadra bergamaske realizoi një tjetër ndeshje të madhe, përmbysi avantazhin e dyfishtë të Lazios dhe triumfoi 3-2. Lojë fantastike, ritëm i çmendur, dominim nëpërmjet një futbolli ofensiv dhe sulm vdekjeprurës.

77 gola në kampionat kanë realizuar Xhimshiti me shokë këtë sezon, teksa skuadra e dytë me sulmin më të mirë, Lazio, ka shkuar 62 herë te goli. Ish-trajneri i njohur i Milanit dhe Italisë, Arrigo Sacchi po zbavitet shumë me futbollin e Atalantës dhe nuk i kursen elozhet në një deklaratë për Gazzetta dello Sport, transmeton ABCNews.

Jam i bindur që duhet të falënderojmë Atalantën, për atë që po bën dhe atë që po na dhuron të gjithëve. Nuk është e drejtë t’i vendosim nën presion. Sa herë që lojtarët e Atalantës zbresin në fushë, japin shpirtin dhe kjo më mjafton.

Nëse të gjithë në Itali do të kryenim detyrat tona siç bëjnë djemtë e Gasperinit, sigurisht që do të ishim një vend më i mirë. Duhet të marrim shembull të gjithë nga kjo skuadër“, deklaron Sacchi për ekipin italian, që ia ka dalë të kualifikohet në çerekfinalet e Champions League.

-->