Nesër fillon plejofi i Superligës- gjithçka që duhet të dini

Superliga 15 Prill 2019 12:43

Me dy ndeshjet e xhiros së 28-të që u zhvilluan të dielën ka përfunduar edicioni i rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll dhe tashmë gjashtë ekipet më të mira në tabelë do të garojnë në plejof.

Ky ka qenë ndryshimi më i madh në sistemin e garave këtë vit dhe sipas formulës aktuale, ekipet e pozicionuara 1 dhe 2 në tabelë, Z Mobile Prishtina dhe Golden Eagle Ylli janë plasuar drejt në gjysmëfinale, kurse katër ekipe tjera do të luajnë në çerekfinale të plejofit.

“Sipas Propozicioneve të Garave për edicionin 2018/19 pas përfundimit të edicionit të rregullt, 6 ekipet e para do të plasohen në play-off.

Në raundin e parë ekipet që do të ndeshen janë 3-6 dhe 4-5 deri në dy fitore, kurse ekipet e renditura në pozitat 1 dhe 2 në raundin e parë do të pauzojnë dhe në gjysmëfinale do të takohen me ekipet nga renditja 3/4/5/6”, citon Insporti nga Propozicionet e Garave të FBK-së, duke shtuar se në pozitat 3 deri në 6 kanë përfunduar ekipet: Rahoveci, Bashkimi, Trepça dhe Ponte Prizreni.

Kjo do të thotë se Rahoveci në ndeshjet e para të plejofit luan me Ponte Prizrenin dhe fituesi i këtij dueli do të ballafaqohet me Golden Eagle Yllin në gjysmëfinale, kurse Bashkimi do të takohet me Trepçën dhe fituesi i këtij dueli do të takohet në gjysmëfinale me Z Mobile Prishtinën, raporton Insporti.

Në Propozicionet e Garave po ashtu thuhet se “ndeshjet e play off-it do të zhvillohen të dielën, të martën dhe të premtën në vazhdimësi pa ndërprerje nëse nuk vjen deri te zhvillimi i ndeshjes së fundit konform Propozicioneve të Garave.

Gjysmëfinalet e play-offit zhvillohen sipas formulës 1vs 4-5 , 2 vs 3-6. Plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin 3 fitore. Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit  2-2-1  dhe epërsinë e terrenit vendës e ka ekipi më lartë i plasuar në edicionin e rregullt.

Në finale të play-offit takohen ekipet fituese të gjysmëfinaleve. Kampion i Superligës shpallet ekipi që i pari arrin tri fitore.

Finalja e play-offit zhvillohet sipas formatit vajtje – ardhje. Përparësinë e terrenit vendës e ka ekipi që ka qenë më mirë i ranguar në edicionin e rregullt dhe luan si vendës në ndeshjet 1 dhe 3 dhe ndeshjen eventuale 5.

Ndeshjet e play off-it do të zhvillohen të dielën, të martën dhe të premtën në vazhdimësi pa ndërprerje nëse nuk vjen deri te zhvillimi i ndeshjes së fundit Konform Propozicioneve të Garave”.