Neymar rrëfen si lindi miqësia e tij me Lionel Messi

Futboll 16 Prill 2018 11:30

Neymar, edhe pse prej disa javësh nuk është aktiv në fushën e futbollit, ai sërish është në qendër të vëmendjes.

Futbollisti i PSG-së, i cili ndodhet në vendlindjen e tij ku po rikuperohet nga dëmtimi, ka rrëfyer se si lindi miqësia e tij me Lionel Messi-n te Barcelona.

I ftuar në emisionin”Altas Horas” të një televizioni brazilian, 26-vjeçari është shprehur duke thënë se, e mban mend një ndeshje ku ishte gati duke qarë pasi gjërat nuk po ndodhnin ashtu siç ai i kishte parashikuar.

“Ishte pushimi i ndeshjes dhe Messi mu afrua dhe më tha se duhet të isha vetvetja, dhe aq. Ai më tha të mos trembesha kur luaja përkrah tij dhe Iniesta-s, por të bëja lojën time”, tregoi momentin Neymar.

“Të shihje atë përulësi nga dikush që i ka fituar të gjitha, i cili të thotë të japësh më të mirën tënde, ishte diçka e mrekullueshme. Akoma ia them familjes time atë histori. Ai më ka ndihmuar shumë profesionalisht por edhe personalisht”, tha më tutje futbollisti brazilian.

“Të luash me yje si Messi, Iniesta dhe Xavi të bën të turpshëm. Por pasi fola me Messi-n dola nga momenti i vështirë dhe fillova të luaja me vetëbesim. Që nga ai moment kam një miqësi të madhe me Messi-n”, përfundoi Neymar.

Neymar, u përfol edhe për një rikthim të tij tek Barcelona, të cilën pak kush e beson, mirëpo tash e një kohë edhe pse vetëm verën e kaluar nënshkroi me Paris Saint-Germain, po përfliten skuadra tjera që mund ta blejnë 26 vjeçarin.

Së fundmi, përveç interesimit permanent për të nga Real Madrid, nëse është për t’i besuar shtypit britanik, thuhet se ka një interesim të madh edhe nga skuadra e Manchester United, të cilët sipas disa raportimeve, janë të gatshëm të ofrojnë edhe gati gjysmë miliardi euro për yllin brazilian. /Insporti.com

-->