Neymar zbulon datën e rikthimit

Futboll 18 Prill 2018 08:23

Sulmuesi i Paris Saint-Germain dhe Brazilit, i cili u lëndua në fund të shkurtit në ndeshjen me Marseille dhe është në vendlindjen e tij duke u rikuperuar, në një intervistë mbrëmë zbuloi datën e rikthimit të tij në fushë.

Neymar, me transferimin e tij verën e kaluar tek skuadra franceze e PSG-së, u shndërrua në futbollistin më të shtrenjtë në botë, mirëpo sezoni i tij i parë, përveç lëndimit nuk kaloi në notën më të lartë, pasi u bë pjesë e shumë shkrimeve në shtyp, lidhur me pakënaqësinë e tij të menjëhershme në futbollin francez.

Braziliani përmendi datën 17 maj për rikthimin e tij në seancat e para stërvitore, derisa pret që do të rikuperohet plotësisht para kampionatit botëror në futboll, në mënyrë që të jetë i gatshëm me kohë për këtë garë ku do të marrë pjesë me përfaqësuesen e Brazilit.

“Më 17 maj kam testet e fundit mjekësore dhe menjëherë pas kësaj do të mund të luaj”, tha Neymar në një konferencë për media në Sao Paulo.

“Javën e kaluar kisha një tjetër testim mjekësor dhe gjërat dukeshin shumë mirë, kështu që pres se shumë shpejt do të fillojë me stërvitje”.

“Pres që në këtë Kupë të Botës do të jem në një formë shumë më të mirë se më herët. Normalisht që dyshimet ekzistojnë ndonjëherë dhe kjo është normale për dikë si unë, që sapo kam kaluar lëndimin dhe intervenimin e parë në karrierën time. Ka qenë jo e lehtë për mua që të mos jem në asnjë seancë stërvitore dhe të mos luaj, por tani gjërat po përmirësohen”, përfundoi deklaratën e tij Neymar. /Insporti.com

-->