Nga Bayerni te puna në fabrikë për ta shpëtuar vajzën e sëmurë, historia rrëqethëse e mesfushorit anglez

Futboll 15 Korrik 2019 20:56

Mendtë i erdhën shumë vonë, dhe ndoshta ky do të jetë pengu që do ta ketë deri në fund të jetës. Ajo e Dale Jennings duket një histori si shumë të tjera: një djalë i ri që nuk arrin të shkëlqejë në futboll.

Por me një të veçantë: ai ia doli, por u vetësabotua. Në vitin 2011, në moshën 18-vjeçare, konsiderohej një prej talenteve më të mëdha të futbollit anglez. Bayern Munichu, për ta transferuar pagoi 2.3 milionë te Tranmere Rovers.

Por sot, në moshën 26-vjeçare, Xhenings gjendet duke punuar si kontrollor cilësie në fabrikën e “Land Rover” dhe luan në kategorinë e nëntë në Angli: “Shpresoj që të mbërrij në Premier Ligë”, tregon ai për Daily Mail.

“Në futboll asgjë nuk është e pamundur. Më vjen keq, sepse kur mbërrita te Bayerni nuk u solla si një profesionist, ashtu siç duhet të isha. Nuk e mora seriozisht transferimin”.

Në Gjermani sulmuesi nuk u aktivizua kurrë me fanellën e Bayernit. Ai nuk tentoi për asnjë moment të mësonte gjuhën dhe konsumonte vetëm ushqime të gatshme, jo të pranueshme për një sportist.

“Përpara se të shkoja në Mynih, nuk kisha gatuar kurrë, nuk e kisha vendosur kurrë lavatriçen. Isha mësuar që të tjerët të bënin gjithçka për mua”.

I rikthyer në Angli në vitin 2013, ai nuk arriti që të ringjallej qoftë te Barnsley as te MK Dons dhe në të dyja klubet pati probleme me peshën: “Mendoja se të haje diçka të pashëndetshme nuk ishte një problem apo gabim i rëndë”. Dhe kështu, gabim pas gabimi, në vitin 2016 Jennings u gjend pa një skuadër, derisa në vitin 2017, i diagnostifikuan të bijën Mila, me leukemi: “Kur dëgjova që kishte një sëmundje kaq të rëndë ishte e tmerrshme. Nuk ka asgjë më të rëndë në botë”.

Për të grumbulluar të ardhura ai nisi të punojë fillimisht në kompaninë “Amazon” dhe më pas u bë kontrollor cilësie te fabrika e automobilave “Land Rover”. Në të njëjtën kohë, ai vazhdon të luajë futboll në Kategorinë e Nëntë në Angli me Runcorn Town.

“Duhet t’ia shpërblej familjes për mbështetjen që më ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve. Për këtë duhet të punoj, për të mbërritur atje ku teorikisht duhet të isha: në Premier Ligë. Shembulli im është Vardy. Edhe ai shpërtheu vonë, duke fituar kampionatin dhe luajtur me kombëtaren. Nuk mendoj se ka diçka të pamundur në futboll”. Historia e Jennings mund të duket e ngjashme me shumë të tjera. Por ai nuk dështoi për mungesë talenti, por se u poq shumë vonë. Edhe pse ai shpreson ende se mund t’ia dalë.