Nga Broja te Muçi, koha që Reja të gjejë një zgjidhje për sulmin kuqezi

Kombëtarja 22 Tetor 2021 09:59

Kombëtarja shqiptare në ndeshjen ndaj Polonisë tregoi edhe një herë që e ka të vështirë ta gjejë lehtë golin. Pak aksione të krijuara dhe nga këto, asnjë të rrezikshëm. Kjo do të thotë që sulmi nuk funksionoi atëherë kur duhej. Një goditje e vetme në portën polake dhe ajo erdhi në minutën e 90-të nga një inkursion individual i Brojës që u aktivizua në pjesën e dytë. Ndërkaq, ndaj Anglisë, në humbjen 0-2 në Tiranë, kujtojmë se nuk arritëm të krijonim një rast të vetëm apo një goditje në kuadrat.

Në dy ndeshjet me Hungarinë, skuadra luajti mirë, me detyrat mbrojtëse të Rejës, duke nisur që nga maja e sulmit, por sërish gjetja e golit ishte një vështirësi më vete. Duhet të shpikte diçka Armando Broja në të dyja ndeshjet që të arrinim te marrja e gjashtë pikëve. Sulmuesi 20-vjeçar ka luajtur vetëm 231 minuta në këto shtatë ndeshje sepse ndaj Polonisë në transfertë nuk ishte i grumbulluar fare dhe përsëri ka arritur të shënojë më shumë se të gjithë sulmuesit e tjerë.

Në total në këto eliminatore skuadra e Shqipërisë ka goditur 31 herë portën e ekipit kundërshtar. Gjysma e këtyre goditjeve janë realizuar në dy takimet ndaj amatorëve të San Marinos, ashtu si edhe golat e shënuar, ku janë 11 në total dhe 7 prej tyre janë regjistruar po në portën e modestëve të San Marinos. Pavarësisht se sistemi VAR nuk ka ndërhyrë në ndeshjen me Poloninë për rastin e penalltisë, ajo që bie në sy është fakti që në këto ndeshje nuk kemi fituar asnjë 11-metërsh. Ndërsa, duke iu referuar numrit të kartonëve, dallohet një lojë e ashpër dhe mbrojtëse e lojtarëve tanë. Numërojmë 24 kartonë, edhe pse kemi në grup dy skuadra me nivel më poshtë sesa ne.

SULMI – Ne nuk kemi një sulmues kalibri si Levandovski në ekip, që mund të zgjidhë shpesh situatat me golat e tij, por nga ana tjetër me ata sulmues që kemi, nuk krijojmë rrezikshmëri në portën e kundërshtarit dhe godasim pak kuadratin. Trajneri Edi Reja duhet të gjejë një zgjidhje sepse nuk mund të themi që kemi lojtarë të dobët që luajnë në nivele të ulëta, nuk jemi pa gjë, i thonë në gjuhën popullore. Jo vetëm sepse po lind një yll i ri si Broja, por kemi luksin e një lojtari të talentuar, sulmuesin e Legias së Varshavës, të cilin e përmend dhe i ka lënë përshtypje edhe legjendës Zibi Boniek, si një lojtar me perspektivë, të cilin ne nuk e grumbullojmë fare në ekipin e parë kombëtar.

Reja duhet të gjejë një alternativë që t’i japë një tjetër fytyrë repartit të sulmit në Kombëtare. Edhe pse dihet që trajneri italian në stilin e tij ka lojën difensive, ndoshta mund të jetë momenti për të provuar diçka ndryshe. Mund të krijohet një repart i cili të veprojë lirshëm, një sulm që të rrezikojë, të krijojë dhe të guxojë më shumë për të sulmuar portën e kundërshtarit.

LOJTARËT QË KANË SHËNUAR NË KËTO ELIMINATORE
Andorrë-Shqipëri 0-1 Lenjani
San Marino-Shqipëri 0-2 Manaj, Uzuni
Poloni-Shqipëri 4-1 Cikalleshi
Shqipëri-Hungari 1-0 Broja
Shqipëri-San Marino 5-0 Manaj, Laçi, Broja, Hysaj, Uzuni
Hungari-Shqipëri 0-1 Broja. /panorama.al/

-->