NGA DËSHTIMI NË ZGJEDHJE ME PDK, NË MEÇIN PËR TITULL BOTE NË BOKS

Boks 09 Mars 2018 19:06

Më 19 gusht të vitit të kaluar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) prezantoi boksierin Tefik Bajrami si anëtarin më të ri të partisë. Me afrimin e Bajramit, PDK në Podujevë thoshte se është bërë më e “fuqishme”.

Bajrami, i cili stërvitet në Zvicër, kishte garuar për një vend në Kuvendin Komunal të Podujevës në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Por, fuqia politike që PDK mendonte se i kishte sjellë Bajrami, nuk u dëshmua në zgjedhje.

Boksieri shqiptar mori vetëm 122 vota në zgjedhje lokale dhe dështoi të siguronte një ulëse të asamblistit në Kuvendin Komunal.

Megjithatë, anëtarësimi dhe garimi në zgjedhje me Partinë Demokratike të Kosovës nuk e ka ndaluar Bajramin që të vazhdoi karrierën e tij në boks. Llapjani do të zhvillojë nesër meçin e radhës, në boksin profesionist të vlefshëm për titull bote ne versionin WBU (World Boxing Union), raporton Insporti.

Bajrami, tashmë 40 vjeçar (12 fitore, 0 me KO dhe 1 humbje) do të përballet me turkun Ozcan Cetinkaya (27 fitore, 20 me KO, 13 humbje dhe 2 barazime). Kundërshtari i tij turk është 39 vjeçar dhe vitin e kaluar kishte luftuar për herë të parë për një titull ndërkombëtar (WBO International), por kishte pësuar në duel.

Tefik Bajrami mban titullin gjerman në kategorinë deri në 91kg dhe titulli botëror në WBU, do të shënonte pikën më të lartë të karrierës së tij.

Bajrami është prej pak boksierëve me prejardhje shqiptare që ka zhvilluar edhe meçe të boksier profesionist në Kosovë, kështu që është i njohur për publikun kosovar dhe besohet që nesër do të ketë interesim të madh për këtë meç. /Insporti.com

-->