Nga lojtari i preferuar tek stërvitjet në karantinë, rrëfehet talenti Dion Ahmeti

Futboll 22 Maj 2020 22:45

Dion Ahmeti është njëri nga talentët më premtues të klubit Podujeva, shkruan Insporti.

Dioni, 15 vjeçar, aktivitetin sportiv e ka filluar para 7 viteve tek klubi i Besianës, ndërsa tani gjendet në grupmosha të reja tek klubi Podujeva.

Së fundmi, në një intervistë të dhënë për emisionin Foleja, ai ka rrëfyer për kohën e vështirë që ka kaluar ai dhe të gjithë sportistët pas përhapjes së pandemisë së coronavirusit.

“Muajt e fundit ishin të vështirë për të gjithë ne sportistët. Por, me gjithë pandeminë, kemi vazhduar aktivitetin edhe pse në një formë tjetër. Stërvitjet i kemi bërë sipas rregullave me orarin e caktuar nga institucionet shëndetësore”- nis rrëfimin ai.

“Ushtrimet e veçanta në një sport ekipor janë problem por gjithsesi, jemi përpjekur të bëjmë më të mirën tonë”.

Mbrojtësi i ri ka folur edhe inspirimit në futboll duke zbuluar lojtarin që e ka idolizuar si fëmijë.

“Ekipi i parë që kam shikuar ka qenë Milani ndërkohë lojtari im i preferuar ishte mbrojtësi italian, Alessandro Nesta. Prej lojtarëve aktual më së shumti më pëlqen mbrojtësi holandez i Liverpoolit, Virgil Van Dijk” – tha ai.

Ndonëse i ri në moshë, ai flet sikur një veteran i sportit kur përshkruan qasjen që ai ka në ndeshje. “Kur nis takimi gjithçka zhvillohet brenda katër vijave të fushës. Duhet të jesh shumë serioz dhe në gjendje të lësh “zemrën” në fushë”- përfundoi ai.

-->