Nga pushimi në zyre, FFK-ja aktivizon mekanizmat për ta “shtypur” Ejupin

Federata e Futbollit e Kosovës nuk arriti të zhvillonte Kuvendin e Punës, me arsyetimin e pandemisë Covid19, duke e shtyrë për vitin e ardhshëm. Megjithatë, zyrtarët e FFK-së kanë gjetur kohë për një gjë tjetër. Ata kanë gjetur kohën për të aktivizuar mekanizmat e saj, duke hapur procedurë disiplinore kundër Remzi Ejupit, kryetar i klubit të futbollit Prishtina, shkruan Insporti.com.
Ejupi të mërkurën në një intervistë për Insportin, kritikoi punën e drejtuesve së Federatës së Futbollit të Kosovës në 20 vjetët e fundit.
Ai shprehu dyshimet e tij për punën e tyre, duke deklaruar se një grup i caktuar nga ngufatur dhe uzurpuar Federatën e Futbollit të Kosovës.
Krerët e FFK-së ua kanë prishur pushimin anëtarëve të Komisionit Disiplinor vetëm që të merren me deklaratën e një prej njerëzve më të fuqishëm në futbollin e Kosovës.
Edhe pse në pushim që prej 25 dhjetorit, vendosën që më 30 dhjetor të dilnin në zyre për të kërkuar ndëshkim ndaj Ejupit.

Komisioni Disiplinor i ka kërkuar Ejupit të ofrojë dëshmi për akuzat e bëra gjatë intervistës në fjalë.
Ky komision i ka dhënë kohë Ejupit deri më 6 janar 2021 “të ofrojë prova”.
“Kërkohet deklarata nga zyrtari në procedurë disiplinore; kryetari i FC Prishtina z. Remzi Ejupi lidhur me rastin; që të ofroni prova me fakte të vërtetuara për të gjitha ato të thëna në të cilat pretendoni në citimin e fjalëve të publikuara si; “skandali“, “keqpërdorimet“, “privatizimi“, “grup njerëzish“, infektimin e përzgjedhësit Bernard Challandes, humbja e ndeshjes ndaj Sllovenisë dhe dyshimet në bastore e të tjera për të cilat obligoheni që t’i siguroni dhe dëshmoni – ofroni; prova dhe fakteve deri me datë 06.01.2021”, shkruhet në njoftimin e FFK-së. /Insporti.com/
