Një tjetër futbollist kërcënohet me vdekje në Botërorin “Rusia 2018”

Kërcënimet me vdekje për futbollistët që kanë gabuar në momentet vendimtare të ndeshjeve të përfaqësueseve të tyre në këtë Botëror, duket se janë kthyer në modë tashmë.
Kështu i pari që u prek nga ky fenomen ishte kolumbiani Sanchez, që mori karton të kuq me Japoninë, që në minutën e 7-të dhe Kolumbia humbi 1-2.
I dyti në radhë ishte futbollisti i Suedisë, Durmas, që u aktivizua në pjesën e dytë të sfidës me Gjermaninë dhe shkaktoi faullin që solli golin e fitores për “Die Mannschaft”.
Së fundmi, është kërcënuar me jetë edhe sulmuesi i Danimarkës, Nicolai Jorgensen, që humbi njëmbëdhjetëmetërshin vendimtar në sfidën e vlefshme për fazën e 1/8-ës ndaj Kroacisë.
Kjo ka bërë që Federata Daneze e Futbollit të reagojë ashpër nëpërmjet një komunikate, ku ka kërkuar që të ndalen fenomene të tilla dhe i ka bërë thirrje policisë të hetoj rastet.
“Ndalni! Shoqëria jonë nuk i pranon kërcënimet me vdekje ndaj futbollistëve, politikanëve dhe kujtdo tjetër, kjo është e papranueshme. I kërkojmë policisë të ndërhyjë dhe t’i japë fund këtij fenomeni shqetësues”, thuhet në deklaratën e Federatës daneze.
Kujtojmë që 90 minutat e ndeshjes Kroaci – Danimarkë, përfunduan në barazim 1-1 dhe ishte pikërisht Jorgensen që kaloi danezët në avantazh, që në minutën e parë të asaj përballjeje. /Insporti.com