Njihuni me ‘trashaluqin’ që tronditi botën e boksit dhe është i fiksuar pas Snickersit

Boks 03 Qershor 2019 23:24

Të shtunën ndoshta jeni hutuar me finalen e Ligës së Kampioneve dhe mund të keni humbur një ngjarje tjetër spektakolare në botën e sportit. Kampioni i peshave të rënda, Anthony Joshua, humbi ndaj Andy Ruiz Jr., edhe pse shanset ishin 25-1.

Meksikani mundi britanikun Joshua, pasi e hodhi në tapet në raundin e shtatë dhe duke i marrë, në këtë mënyrë, të katër trofetë që ai mbante, titujt kampion bote për peshat e rënda në versionet WBA, WBO, IBO dhe IBF. Po kush është ‘trashaluqi’ që tronditi botën e sportit?

Shkrim nga Daily Mail

Ai thotë se është i fiksuar pas çokollatave Snickers. Megjithatë, pak njerëz prisnin që Andy Ruiz Jr. të kishte ndonjë shans kur hyri në ring ndaj Anthony Joshua të shtunën në mbrëmje.

Meksikano-amerikani i peshës së rëndë, të cilin dikur media e tallte rëndshëm duke e etiketuar si ‘llumi i shëndoshë’, provoi se të gjithë e kishin gabim kur mundi në Madison Square Garden një prej boksierëve më të suksesshëm të kohëve moderne.

29-vjeçari njihet me emrin ‘Shkatërruesi’, por shumëkush e mban mend për krahasimin që i bëri ish-kampioni Tyson Fury me vogëlushin e filmit ‘Up!’.

“Shikojeni pak trashaluqin tani,” tha ai pak përpara se të ndeshej me Joshuan, që është më i lehtë, por më i gjatë se ai.

Madje nisi të hapte çokollatën Snickers përpara se të fliste.

“Të them të vërtetën, që kur kam qenë gjashtë vjeç, babai më jepte gjithmonë një çokollatë Snickers përpara se të ndeshem dhe më ka dhënë vazhdimisht energji”.

“Më jep gjithçka më duhet për të fituar. Sigurisht do e ha përpara se të ndeshem me Anthony Joshua”.

Pavarësisht natyrës së tij humoristike, ai dinte diçka.

I lindur në një qytet kufitar në Kaliforni nga prindër meksikanë, Ruiz kalonte gjithmonë kufirin për t’u stërvitur në një palestër në pronësi të gjyshit.

Kur ishte gjashtë vjeç, babai nuk e lejoi të luante bejsboll, por i tha të merrej me boks.

Si i ri, gjithmonë ishte i ekspozuar ndaj kulturës së bandave dhe dhunës, madje në një pikë u përjashtua nga shkolla për një sherr.

Ai thotë se falë boksit shpëtoi nga jeta e krimit, e cila ‘rrëmbeu’ shumë prej miqve të tij.

“Boksi më shpëtoi jetën. Kishte shumë banda dhe unë shoqërohesha me njerëzit e gabuar. Disa janë në burg tani. Të tjerë rrinë nëpër qoshet e rrugëve”.

Pavarësisht kësaj, Ruiz thotë se është një meksikan krenar, madje ka bërë fushatë kundër presidentit Donald Trump për ndikimin në komunitetet hispanike.

Qyteti nga e ka origjinën familja e tij është në qendër të debatit për ngritjen e murit dhe mund të izolohet nga SHBA në rast se ai ngrihet.

“Nëse fitoj, do të dërgoj një mesazh të fortë për fuqinë e meksikanëve. Fitorja nuk do ndryshojë jetën time, por edhe jetën e shumë meksikanëve”.

Fakti që Ruiz është i pari kampion i peshave të rënda me origjinë meksikane, në fakt duket disi i çuditshëm, pasi vendi është i apasionuar me këtë sport dhe dominon në peshat më të ulëta.

Pavarësisht fitores, Ruiz do të marrë vetëm 5 milionë funte, edhe pse prodhoi një prej rezultateve më befasuese në historinë e boksit.

Kurse Joshua do të marrë 20 milionë funte pasi vuajti humbjen e parë në karrierën e tij.

Pagesa më e lartë që ka marrë Ruiz Jr. më përpara ka qenë 382 mijë funte kundër Devin Vargas në vitin 2018.