Notre Dame në flakë – ylli i Francës me lot në sy

Futboll 15 Prill 2019 22:49

Katedralja e famshme e Notre Damit në Paris sot u përfshi nga flakët, derisa kjo ngjarje u bë më e komentuara gjatë ditës dhe mori vëmendjen e mediave botërore.

Ndërtesa 674 vjet e vjetër (e kompletuar në vitin 1345), që është edhe një prej monumenteve historike më të vizituara në Evropë, u kaplua nga zjarri sot, shkruan Insporti

Zjarri fillimisht përfshiu papafingon e katedrales, derisa imazhe të shumta filluan të shpërndaheshin nëpër rrjete sociale, ku shiheshin flakët dhe tymi duke dalë nga pjesa e sipërme e katedrales.

Sipas njoftimeve të para, zjarri është “potencialisht i lidhur” me rinovimin e ndërtesës, thanë zjarrfikësit.

Zëdhënësi i katedrales ka bërë të ditur se zjarri është raportuar të këtë rënë rreth orës 17:50, ndërsa evakuimi ndodhi shpejt.

Pas kësaj ngjarje, ka reaguar edhe ylli botëror i futbollit dhe fituesi i Kupës së Botës me Francën, Kylian Mbappe, që ka lënë të kuptohet se është me lot në sy pas ngjarjes së sotme.

Kujtojmë se kjo ndërtesë ikonike i ka mbijetuar dy Luftërave Botërore, teksa miliona njerëz janë prekur nga kjo ngjarje dhe pamjet ku shihen shumë vite të historisë, duke u bërë shkrumb e hi. /Insporti.com/