Nuhiu dhe Ujkani “asistentët” e ri të Challandes

Futboll 08 Shtator 2019 09:11

Përfaqësuesja e Kosovës vazhdoi me ecurinë fantastike pa humbje duke triumfuar edhe ndaj Republikës së Çekisë, shkruan Insporti.com.

Kosova mposhti kombëtaren çeke me rezultat 2:1 në ndeshjen që u zhvillua në “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Kjo ndeshje ishte e vlefshme në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Evropian “Euro2020”.

Përzgjedhësi zviceran i “Dardanëve”, Bernard Challandes ndaj çekëve e kishte të “lehtë” pasi edhe Samir Ujkani e Atdhe Nuhiu i ndihmuan në minutat e fundit të ndeshjes, kur skuadra ishte duke e mbrojtur rezultatin.

 

Dy “veteranët” edhe pse nuk zhvilluan asnjë sekondë në këtë fitore të madhe, ndihmuan bashkëkombësit e tyre që ishin në fushë duke i dhënë instruksione nga pankina. Madje, Challandes për një moment buzëqeshi duke parë veprimet e tyre.

Në fund, Kosova arriti të triumfonte duke arkëtuar tre pikë tejet të rëndësishme në rrugëtimin e gjatë për kualifikim në “Euro2020”.

Golat e fitores i shënuan Vedat Muriqi dhe Mërgim Vojvoda.

Kosova ndeshjen e radhës do ta zhvillojë kundër Anglisë më dhjetë shtator në Southampton.

Pas kësaj fitore, Kosova renditet në pozitën e dytë me tetë pikë ndërsa Anglia e para me 11 sosh në grupin A. /Insporti.com/

-->