Nuhiu: Do të qasemi me seriozitet maksimal, nuk guxojmë të gabojmë

Futboll 12 Mars 2022 18:43

Një ditë para ndeshjes së 25-të kampionale, FC DRITA mbajti konferencë për media ku u diskutua pë përgatitjet e ndeshjes ndaj KF Dukagjinit dhe pritshmëritë. Para mediave u paraqitën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Ardit Tahiri

Nuhiu theksoi se në ndeshjet e rradhës gabimi duhet të jetë minimal dhe fitorja është synimi i vetëm edhe në takimin ndaj KF Dukagjinit.

“Ndeshjen e nesërme do ta vlerësojmë në maksimum, pasi përballemi me një skuadër me formë të mirë në tri ndeshjet e fundit, me individë cilësorë dhe taktikisht e diciplinuar. Kemi analizuar ndeshjet dhe jemi të bindur si unë dhe futbollistët që të qasemi me seriozitetin më të madh, sepse po shkojmë drejt fundit të kampionatit dhe ndeshjet po pakësohen. Nuk kemi të drejtë të gabojmë dhe duhet të vazhdojmë të luajmë futboll të mirë, si në ndeshjen e fundit. Preferoj të kemi lojë të rrjedhshme dhe të kesh topin në qarkullim, të ndërtojmë në ato hapësira që na krijohen për të marrë më të mirën nga secila ndeshje. Kemi përgatitur ndeshjen dhe jemi të vetëdijshëm se cfarë duhet të bëjmë nesër”, ka thënë Nuhiu.

Trajneri, Ardian Nuhiu njoftoi se nesër do të mungojnë Arbnor Muja dhe Ardian Limani për shkak të lëndimeve, ndërsa Ardian Cuculi për shkak të kartonit të kuq në fund të ndeshjes së kaluar.

-->