Nuhiu para ndeshjes me Drenicën: Skuadra jonë nuk dorëzohet dhe nuk largohet nga objektivat

Në prag të ndeshjes së 23-të kampionale, Drita ka mbajtur konferencë për media ku edhe u diskutua për përgatitjet, atmosferën në grup dhe pritshmëritë rreth ndeshjes ndaj Drenicës.
Para gazetarëve u paraqitën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Almir Kryeziu.
Nuhiu theksoi se ndeshja e nesërme pritet të jetë cilësore, gjersa Drita do të tregojë karakter dhe synon të kthehet te fitorja.
“Skuadra e Drenicës luan një futboll të bukur realisht, me pasime të shkurtra dhe me sulm të shpejtë. Jemi munduar ta analizojmë kundërshtarin, unë personalisht kam besim te skuadra, sepse ata nesër do të tregojnë një karakter të fortë. Ne kishim kohë të mjaftueshme për të analizuar dhe përgatitur këtë ndeshje. Këtë javë jemi munduar të përmirësohemi sa më tepër, t’i minimizojmë gabimet që na janë paraqitur në ndeshjen e kaluar. Kam besim se do të tregojmë forcën tonë, të kthehemi te loja jonë e mirë dhe te fitorja. Nesër pres reagim dhe reflektim nga skuadra”, ka thënë Nuhiu.
Kreyetrajneri i bardhekaltërve, Ardian Nuhiu u pyet edhe për ndeshjen e kaluar, duke theksuar se forma dhe paraqitja e skuadrës ishte e konsoliduar, me disa raste shënimi dhe me izolim të kundërshtarit përgjatë gjithë takimit.
Nuhiu potencoi se skuadra nuk do të dorëzohet, përderisa matematikisht ende ka pikë në lojë.
“Nuk e mendoj asnjë moment rezultatin negativ, e përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë për ta fituar dhe pastaj ia lëmë fushës të tregojmë. Skuadra jonë nuk dorëzohet dhe largohet nga objektivat, përderisa kemi ndeshje për të zhvilluar. I falënderoj edhe tifozët tanë për përkrahjen, të vazhdojnë mbështetjen për këta djemë, sepse kemi skuadër cilësore dhe vetëm të bashkuar do të arrijmë qëllimet tona”, përfundoi Nuhiu.
Ndeshja Drenica – Drita zhvillohet të dielën, ora 13:00, stadiumi “Bajram Aliu” Skënderaj.