“Nuk dëgjova çfarë po thonin” – Doncic i kërkon personalisht falje shqiptarit

Basketboll 01 Prill 2020 10:06

Ylli slloven i NBA dhe Dallas Mavericks, Luka Doncic, përmes Twitterit i ka kërkuar falje një komentuesi shqiptar, pasi kishte shpërndarë një video ku dëgjoheshin thirrje raciste drejtuar shqiptarëve.

Një faqe e tifozëve të Luka Doncicit e postoi një video në Twitter me mbishkrimin: “Kur tifozët e basketbollit në Amerikë e shikojnë një ndeshje të basketbollit evropian”. Doncic e shpërndau këtë postim, duke shtuar dy emotikone duke qeshur mbi video.

Megjithatë, reagimet e shumta, ndër të cilat edhe ajo e shqiptarit Deni Hoxha, ndaj këtij postimi ia bënë të qartë Doncicit se në video kishte thirrje raciste ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, si “Kush nuk kërcen, është shqiptar” dhe “Vritni shqiptarët”.

Doncici e fshiu videon, kërkoi falje publikisht, si dhe i shkroi për t’i kërkuar falje shqiptarit që ia bëri të ditur se në video kishte thirrje raciste.

“E pashë tweet-in tënd, njeri më vjen keq. Unë nuk e dëgjova se çfarë po thoshin ata. Kurrë në jetë nuk do të bëja diçka të tillë. Kërkoj falje”, ia ktheu Doncici shqiptarit në Twitter.

“Betohem se s’i dëgjova. Kurrë nuk do të bëja diçka të atillë”, shtoi basketbollisti 21-vjeçar.

-->