“Nuk e kuptoj pse luan çdo javë” – legjenda angleze ‘turpëron’ Xhakën

Futboll 30 Shtator 2019 18:47

Granit Xhaka u emërua kapiten i Arsenalit javën e kaluar, mirëpo legjenda e futbollit anglez, Paul Ince, ende ka dyshime për aftësitë e mesfushorit 27-vjeçar.

Mesfushori Granit Xhaka u transferua në Arsenal në vitin 2016 dhe ai do ta bëjë paraqitjen e 140-të për londinezët në ndeshjen kundër Manchester Unitedit, sonte mbrëma në “Old Trafford”.

Por, kapiteni i Zvicrës dhe i Arsenalit shpeshherë ka marrë kritika dhe Ince e pranon se kur e shikon mesfushën e Arsenalit, i vjen dëshira për t’u kthyer nga pensionimi.

“Do të doja të luaj kundër kësaj mesfushe të Arsenalit, absolutisht do të më pëlqente”, tha Ince.

“Unë nuk e kuptoj Granit Xhakën. Nuk e kuptoj pse ai luan çdo javë. Nuk e shoh se çfarë i sjell ai skuadrës. Po, ai mund të godasë nga 25 metra largësi dhe ndoshta njëra shkon në rrjetë, por të gjitha të tjerat i humb”.

Xhakës iu besua shiriti i kapitenit pasi që lojtarët e Arsenalit votuan se kush duhet të jetë lideri i radhës i skuadrës dhe 27-vjeçari mori më së shumti vota.

-->