Nuk mori leje nga klubi, “përjashtohet” Donis Avdijaj

Kombëtarja 24 Dhjetor 2018 13:38

Donis Avdijaj është njëri prej futbollistëve më të talentuar të Kosovës. Sulmuesi nga Kosova po shënon vazhdimisht në Holandë dhe ka shkëlqyer me fanellën e skuadrës Willem II.

Por për Avdijajn nuk kanë të ndalur as problemet jashtë fushës së gjelbër. Willem II kishte udhëtuar drejt Emmenit për ta zhvilluar ndeshjen e javës së 17-të.

Por një natë para ndeshjes, kur skuadra ishte e vendosur në hotel dhe duhej të pushonin, këtë rregull nuk e respektoi Donis Avdijaj me tre shokë të tjerë. 22-vjeçari së bashku me Timon Wellenreuther, Thomas Meissner dhe Atakan Akkayank ishin larguar pa leje nga hoteli për të dalë në qytetin e Emmenit.

Sipas asaj që ka shkruar gazeta gjermane Kicker, Avdijaj së bashku me shokët e tij ishin larguar për të dalë në qytet dhe t’i shijojnë festat e fundvitit.

Trajneri i Willem II, Adrie Koster e kishte hetuar largimin e lojtarëve dhe i ka suspenduar ata. Kësisoj, Avdijaj, Wellenreuther, Meissner dhe Akkayank humbën ndeshjen e Willem II përballë Emenit, ku skuadra e tyre fitoi me rezultat 2-0.

“Unë pres që lojtarët profesionistë të përgatiten profesionalisht për një ndeshje. Mund t’i lëshoni gjërat, por unë e ndjeva të nevojshme të ndërhyjë në këtë rast dhe të jem i qartë”, tha Koster.

“Në këtë klub ka kufij dhe të gjithë duhet të qëndrojnë në të”, u shpreh trajneri i Willemit.

Reprezentuesi i Kosovës, këtë edicion ka luajtur 19 ndeshje me fanellën e Willem II ku ka shënuar tetë gola dhe ka bërë gjashtë asistime.