Nuk u lejua në stadium për shkak të COVID-19, shikoni çfarë bëri ky prind për ta shikuar djalin e tij

Futboll 19 Shtator 2020 23:08

Çfarë do të bënit nëse djali juaj luan futboll, por ju nuk mund të hyni në stadium për shkak të COVID-19? E parkoni autobusin afër stadiumin dhe duket sikur të jeni në stadium. Një ide të tillë e ka realizuar Mel Evans 63-vjeç, i cili dëshironte me çdo kusht të shikonte djalin e tij (Jonathan) duke luajtur për Aberystwyth Town. Ka dy ndeshje që ai i shikon nga kulmi i autobusit të tij dhe djali i tij ka shënuar në secilën prej tyre.

“Ndoshta mund t’i numëroj me një dorë numrin e ndeshjeve që babai im ka munguar gjatë karrierës sime”, tha ish-sulmuesi i U-19 të Uellsit për BBC Sport. “Ai ka udhëtuar në të gjithë botën për të më parë duke luajtur”, tha Jonathan. Babai i tij është pronar i Mid Wales Travel dhe autobusi që ka kulmin e hapur, është pjesë e kompanisë së tij. Ky autobus zakonisht përdoret për bartur turistët rreth Aberystwyth, por për shkak të pandemisë, këtë vit ka qëndruar në garazh.

Gjithçka ndryshoi kur fundjavën e kaluar nisi sezoni në Cymru Premier. “Për shkak të koronavirusit nuk mund të futemi në stadium. Në autobus duke shikuar ndeshjen ishim maksimum 10 veta dhe të gjithë ishim me maska. Mund të mblidhemi edhe 50 persona nëse na lejohet”, tha Mel Evans. “Kemi pamje shumë të mirë”, shtoi ai. “Telefoni im është çmendur këtë javë”, tha 27-vjeçari Jonathan, i cili punon për kompaninë e babait të tij si shofer autobusi. “Të gjithë flasin për këtë – të gjithë thonë se duan të vijnë në autobus. Unë mendoj se është e shkëlqyeshme”, tha Jonathan.

Mel dhe miqtë e shikuan Jonathan kur shënoi në humbjen 3-2 të Aberystwyth ndaj Cardiff Met në ditën e hapjes së sezonit 2020-21, dhe përsëri të premten në fitoren 3-1 ndaj Flint Town United.

-->