Nurmagomedov-Gaethje, dueli i “titanëve” në UFC

Sporte luftarake 23 Tetor 2020 23:00

Një përballje titanësh për nga rëndësia që dy luftëtarët kanë. Ndoshta nuk zotërojnë staturën e gjigantit, sepse dueli më i rëndësishëm i vitit në UFC do të zhvillohet për peshën e lehtë, por përballë janë dy më të mirët e viteve të fundit dhe pse jo dy nga më të mirët e të gjitha kohërave: Khabib Nurmagomedov dhe Justin Gaethje.

Nga “Fight Island”, në Abu Dabi, drejtpërdrejt në ekranet tuaja nëpërmjet Digitalb, duke nisur nga ora 20:00 e kësaj të shtune, do të mund të përjetoni sfidën e sfidave, një kampion përballë një tjetër kampioni. Luftëtari nga Dagestani, i cili zotëron gjerdanin e artë në peshat e lehta në UFC ka një rekord të përsosur: 28 ndeshje, 28 fitore.

Absolut në një nga stilet që artet marciale të përziera e kanë në listë, mundja. 10 fitore i ka për dorëzim të kundërshtarit, 8 me “knock-out”. Ka kaluar një periudhë të vështirë 32 vjeçari, për shkak se në muajin qershor u nda nga jeta babai i tij, që ishte edhe forca më e madhe psikologjike, trajneri i tij i parë dhe këshilluesi më i madh.

Nuk zbriti në “Octagon” kundër Tony Ferguson, për shkak të pandemisë, duke bërë që dueli me amerikano-meksikanin të shtyhej për herë të 5-të, por tashmë do të jetë në “Octagon”, në Abu Dabi, pas pak më shumë se 1 viti. Herën e fundit mposhti pikërisht në Abu Dabi Dustin Poirier.

Përballë Justin Gaethje, një tjetër mundës i ashpër, por që në ndryshim nga Khabibi nuk e ka përdorur stilin e mundjes që në çastin kur u kthye në luftëtar i arteve marciale të përziera, madje të ngjan më shumë si një boksier. 24 fitore, 19 me “knock-out” dhe 2 humbje. 31-vjeçari i lindur në Arizona, me baba me origjinë gjermane dhe nënë meksikane, gjunjëzoi duke e dominuar superduelin ndaj Tony Ferguson më 10 maj, duke fituar të drejtën për të sfiduar kampionin.

I pyetur për strategjinë që do të përdorë ndaj Nurmagomedovit, përgjigjja ishte e drejtpërdrejtë: “Do t’i thyej hundën! Një superduel që do të ndezë “Octagonin” në “Fight Island” në Abu Dabi dhe në ekranin e Digitalb.

-->