Nxorri rivalin jashtë piste, kampioni i botës humb podiumin në Brazil

Formula 1 18 Nëntor 2019 19:18

Pas garës së Brazilit, ku u klasifikua i treti në pistë pas Verstappen e Gasly, shoferi Lewis Hamilton u ngjit në podium për të festuar.

Sidoqoftë, pak më vonë erdhi vendimi i komisarëve të pistës, që kanë penalizuar shoferin britanik të Mercedesit.

Ai u konsiderua përgjegjës për incidentin me Alexander Albon në xhiron e 70-të, ndaj dhe u penalizua me 5 sekonda.

Dënim që zbriti Hamilton në vendin e shtatë, ndërsa në podium, në vendin e tij u ngjit Carlos Sainz (McLaren).

Hamilton ka kërkuar sot ndjesë për atë incident, duke marrë përsipër edhe fajin për atë kontakt që pati me rivalin.

“Nuk më pëlqen asnjëherë të kem kontakte në pistë me rivalët dhe kolegët, ndaj më vjen keq për atë që ndodhi me Alex. Natyrisht që është faji im, isha pas tij në pistë. Gjithsesi, shpresoj që podiumin dhe fitoren ta rigjej në garën e fundit sezonale”, u shpreh Lewis Hamilton, kampion i botës në Formula 1.

-->